Me pranga në duar, ish zv/ministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj erdhi në Kuvend për t’u përballur për plot 8 orë me pyetjet e anëtarëve të Komisionit Hetimor për përgjegjësitë e tij për dy koncesionet e “Sterilizimit” dhe “Chek Up”-it.

Duke mohuar abuzimin me detyrën, Rrjepaj shpjegon përse u vendos të shkohej drejt një koncesioni për sterilizimin.

Ish-zv/ministri aludoi se ndaj tij është montuar një akuzë për një vepër penale që nuk e ka kryer.

Pavarësisht se prej afro 13 muajsh ndodhet në qeli, Rrjepaj nuk i ka ikur sensi i humorit.

“Kështu e kam zërin se rri urtë atje në qeli se janë më të fortë ata”.

Nuk munguan debatet dhe me anëtarët e komisionit, duke çuar dhe në ndërprerje të seancës dëgjimore me ish-zv/ministrin.

Klodjan Rrjepaj është arrestuar si pjesë e një dosje ku i akuzuar është dhe ish-ministri Ilir Beqaj.

Por ky i fundit ndryshe nga ish-zv/ministri i tij, është me masën detyrim paraqitje për këtë çështje, ndërsa është i arrestuar për dyshimet se ka abuzuar me fondet e SASPAC.

Tv Klan