Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Shqiptarët janë në krye të listës së trafikantëve që shfrytëzojnë femrat me qëllim përfitimi në shtetin fqinj të Italisë. Sipas një kërkimi të bërë nga Prokuroria e Përgjithshme e Antimafies italiane, trafikantët shqiptarë zënë 42% të rasteve, të trafikimit të mishit të bardhë, të vërejtura në Itali, të ndjekur nga italianët me 17% dhe rumunët me 13% të rasteve.

Rezultatet e këtij kërkimi për të cilin janë përdorur dosjet e hapura në gjykatat më të mëdha italiane, janë prezantuar në një takim të zhvilluar në Bologna dy ditë më parë, ku merrte pjesë edhe prokurori i përgjithshëm i antimafies Pier Luigi Vinja. Rezultatet e këtij kërkimi, i cili u zhvillua në kuadër të një projekti të financuar nga “Interreg 3” është bërë në bazë të 223 dosjeve penale, ku janë të përfshirë 601 persona me kombësi të ndryshme të akuzuar për trafikim të mishit të bardhë.

Ekspertë të drejtësisë italiane, kanë konstatuar se në 79% të rasteve, trafikantët janë burra dhe në 21% janë gratë ato që trafikojnë dhe kjo shfaqet si një risi. Po sipas këtij kërkimi, 16% e grave të trafikuara janë ukrainase, 15% rumune, 12% moldave dhe 7% e këtyre viktimave të trafikuara janë shqiptare.

Në këtë raport të financuar nga Komisioni Europian, përshihet edhe Shqipëria nëpërmjet Minsitrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Interesit tonë për një koment mbi raportin, ministri Engjëll bejtja nuk i është përgjigjur, pasi zëdhënësit të tij raporte të tilla bëhen çdo ditë dhe përfundimet e tyre nuk mund të merren për bazë./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka