Të paktën 29 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në një sulm ajror izraelit në një kamp për personat e zhvendosur, jashtë një shkolle në Gazën jugore.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha se sulmi ka qenë pranë shkollës al-Awda në qytetin Abasan al-Kabira, në lindje të qytetit të Khan Younis, ku numri fillestar i viktimave ishte 25, raporton BBC.

Një burim në spitalin Nasser, ku u dërguan të plagosurit, tha se ata prisnin që numri i të vdekurve të rritet. Ndërkohë kujtojmë se ky është sulmi i katërt pranë shkollave që strehojnë personat e zhvendosur në katër ditët e fundit. Ushtria izraelite tha se kreu tre sulmet e para sepse politikanët, oficerët e policisë dhe luftëtarët e Hamasit po i përdornin ato si baza.

Të shtunën, 16 persona u vranë në një sulm në një shkollë të drejtuar nga OKB-ja në kampin urban të refugjatëve Nuseirat, në Gazën qendrore, ku banonin rreth 2,000 njerëz të zhvendosur, sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Një sulm në një shkollë të drejtuar nga kisha në qytetin e Gazës të nesërmen vrau një zyrtar të lartë të qeverisë së Hamasit dhe tre persona të tjerë, thanë burimet lokale. Dhe të hënën, disa njerëz thuhet se u plagosën në një sulm në një shkollë tjetër të OKB-së në Nuseirat.

/tvklan.al