I ashtuquajturi “Shteti Islamik”, IS mori përgjegjësinë për vrasjet në Solingen. Në një postim në rrjetin Telegram, IS shkroi se një “ushtar” i tyre kreu një sulm ndaj të krishterëve në Solingen. Ky sulm është “hakmarrje për myslimanët në Palestinë e kudo“, shkruhej në rrjet.

Nuk ka prova që IS qëndron pas sulmit, megjithatë është vënë në pranga i dyshuari për sulmin tragjik.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë tha mbrëmjen e djeshme se atentatori i dyshuar iu dorëzua njësisë policore. “Kemi të dyshuarin, që e kërkuam gjatë gjithë ditës”, tha Reul. Personi i dyshuar për atentatin është siriani Isa H.

Sipas autoriteteve, kur ai u vu në pranga, rrobat e tij ishin plotësisht të njollosura me gjak. Sipas Spiegel, Isa H. është 26 vjeç, mysliman sunit, ai ka ardhur në Gjermani në dhjetor 2022 dhe ka bërë kërkesë për azil. Një vit më vonë ai ka marrë statusin e mbrojtjes së përkohshme.

Gjatë së shtunës mediat gjermane njoftuan edhe për arrestimin një 15 vjeçari me lidhje me sulmin. Sipas informacioneve të Spiegel bëhej fjalë për një person nga Kirgistani që jetonte në një qendër azili. Me gjasa ai ka biseduar me autorin e sulmit gjatë festimeve në Solingen.

Kryeprokurori gjerman, Markus Caspers tha në një konferencë shtypi, se “sipas dëshmive të mbledhura një person deri tani i panjohur, pak para sulmit ka biseduar me djalin e ri, për aktin që e edhe u krye më vonë.”/DW