Tre persona janë vrarë dhe tetë janë plagosur rëndë në një sulm me thikë në qytetin perëndimor gjerman të Solingen.

Sulmuesi u largua nga vendi i ngjarjes dhe policia është ende në kërkim të  tij. Aktualisht po merren në pyetje si disa prej të lënduarve ashtu edhe dëshmitarët. 

Incidenti ndodhi rreth orës 21:40 të se premtes teksa mbahej një festival për të shënuar 650 vjetorin e themelimit të qytetit, kur një burrë sulmoi disa njerëz me thikë. Festivali u anulua më pas sulmit.

Sipas dëshmive nga të pranishmit sulmuesi i goditi personat në fyt me thikë. Policia ka bllokuar rrugët dhe u ka kërkuar dëshmitarëve okularë që të kontaktojnë drejtpërdrejt me ta për çdo informacion përmes një linje speciale.

Ende nuk është e qartë se çfarë qëndron pas sulmit dhe politikanët u kanë bërë thirrje njerëzve që të shmangin çdo spekulim, duke thënë se deri më tani nuk ka asnjë provë se kush ishte autori.

Kryeministri i shtetit të Nordrhein-Westfalisë, Hendrik Wüst, ka thënë se i gjithë rajoni është i tronditur pas sulmit në Solingen.

“Në këto orë të errëta, njerëzit në shtetin tonë dhe më gjerë janë në Solingen me zemrat dhe mendimet e tyre,” shkroi ai. 

Ky incident i fundit me thikë vjen pak më shumë se një javë që kur ministri i brendshëm gjerman bëri thirrje për masa më të ashpra ndaj krimeve me thikë. Në fillim të këtij muaji, Nancy Faeser tha se Gjermania ka nevojë për “ligje më të ashpra për armët dhe kontrolle më të rrepta.

Klan News