Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në tregjet ndërkombëtare valutore dollari amerikan shënoi një rritje tjetër ndaj monedhës së përbashkët europiane duke u shkëmbyer në nivelet më të larta të më shumë se katër muajve. Monedha amerikane arriti të vlerësohej ndjeshëm dhe ndaj stërlinës angleze, dollarit australian dhe dollarit neozelandez.

Dollari amerikan vazhdon të mbështetet ndaj treguesit mjaft optimist të ekonomisë amerikane të publikuara ditët e fundit, duke krijuar bindjen në tregjet financiare, se tashmë ekonomia amerikane është e fortë, për të justifikuar një rritje të normave të interesit, për dollarin amerikan.

Normat e ulëta të interesit kanë qenë një ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rënien e përgjithshme të dollarit amerikan gjatë dy viteve të fundit. Sipas informacioneve të Bankës Italo-Shqiptare, në tregun tonë të brendshëm valutor, monedha jonë kombëtare është vlerësuar sërish ndaj monedhës europiane, ndërkohë që leku ka humbur terren ndaj dollarit amerikan./tvklan.al