Nga dezinfektimi te formulari i vetedeklarimit

Të gjithë të pajisur me maska, në një distancë prej dy metrash, nxënësit e shkollës 9-vjeçare të “Androkli Kostallari”, duhet të ndjekin vijëzimin dhe përpara se të afrohen tek ambientet e brendshme të shkollës do ndalojnë në një kënd, ku i pret infermieri së bashku me mësuesin e fizkulturës për të bërë matjen e tyre të temperaturës dhe dezinfektimin paraprak.

Pas këtij procesi, nxënësit janë gati të futen në shkollë, por fillimisht duhet të bëjnë dezinfektimin e këpucëve. Më pas duke ndjekur vijëzimin që ndodhet brenda mjediseve të shkollës, secili prej tyre do të ngjitet në klasën e tyre përkatëse.

Gjithmonë të vendosur në radhë duke respektuar distancën, nxënësit do të futen nëpër klasa, por do të kenë të njëjtën bankë nga dita e parë e shkollës deri në ditën e fundit, aty ku do të ndjekin dhe procesin mësimor prej 30 minutash.

Nëse nxënësi gjatë procesit mësimor, ndjen nevojën të dëzinfektojë duart, është solucioni i vendosur në bankën e mësuesit që mund të përdoret prej tyre. Nëse dikujt prej nxënësve u duhet të lëvizë jashtë klasës për të tjera nevoja, është një person i autorizuar nga stafi i shkollës që i pret ata tek dera për t’i shoqëruar e deri në rikthimin e tyre sërish në klasë.

Duke nisur nga 14 shtatori çdo ditë nxënësit duhet të kenë gjithmonë me vete edhe një formular mbi deklarimin e gjendjes së tyre shëndetësore dhe të familjarëve. Një deklaratë e cila firmoset nga prindërit në kuadër të situatës së Covidit. E njëjta vlen edhe për mësuesit e shkollave.

Tv Klan