Ka nisur me këngë e valle, por ka përfunduar me polemika të ashpra mes studentëve dhe kryeministrit Konevnta e Parë Rinore. Anëtarë të rrjetit të studentëve në botë kanë kritikuar me tone të ashpra realitetin e punësimit dhe kanë akuzuar shtetin për indiferencë dhe korrupsion.

“Një student që studion në itali apo kanada, nuk e ka bërë lëndën e kontabilitetit me dy bilance, një faturë për shtetin e një faturë për biznesin as edhe matematikën me 2+2=22, atëherë si mund t’i kërkohet këtij studenti që të vijë të punojë në sektorin privat në Shqipëri dhe të thyejë rregullat e etikës profesionale me të cilën ai është edukuar. Kjo konventë nuk është thjesht spektakël, vërtet kemi këngë dhe valle, por kjo është vetëm për të mos ta kthyer në vaj dhe kujë këtë punë.”

“Studentët tanë janë vërtet ambasadorë virtualë të Shqipërisë, por zërin e saj duhet ta ngrenë vetë qytetarët e saj në radhë të parë. Ne punojmë, ju ftojmë të punoni edhe ju për ne si edhe për Shqipërinë.

Kryetari i bashkisë Edi Rama ka mbështetur studentët duke konfirmuar situatën e vështirë të punësimit në administratën publike.

Edi Rama: “Me këtë politikë nuk bëhet dot shtet, me këtë shtet nuk bëhet dot administratë, me këtë administratë nuk rriten dot në nivelin e dëshiruar treguesit e punës së shtetit dhe për pasojë as pagat nuk mund të arrijnë në nivele joshëse për të rinjtë shqiptarë të talentuar dhe të mirëshkolluar jashtë ose brenda vendit. Mund të themi se jetojmë në një nga ato memontet e historisë së vendit kur thuhet se bijtë s’duhet të pyësin çfarë po bën athdheu i tyre për ta ose çfarë po bëjnë ata për atdheun e tyre.”

Kryeministri, në polemikën e tij me studentët, i quajti të nxituara dhe plot emocione deklaratat e të rinjve. Kryeministri nuk ngurroi që në këtë konventë rinore të godiste dhe kundërshtarët e tij politikë.

Fatos Nano: “Mos u ngarkoni në tri javë apo një muaj pushime që vini këtu nga paragjykimet e provincës, nga paranojat që mbërthejnë sidomos keq një pjesë të klasës politike shqiptare, sepse edhe vitin tjetër, ashtu si sivjet, do të shikoni se disa gjera mbeten pas për të mos u përsëritur më.”

Fjala e kryeministrit u ndërpre nga thirrjet e studentëve që u janë refuzuar vizat nga Ambasada Italiane.

Fatos Nano: “Atëherë, që të mos lëmë problem pa zgjidhur. Besoj ju jeni nga ata të Ambasadës Italiane apo jo? Po ju bëj me dije që sivjet nga 2800 studentë që studiojnë në Itali, vetëm 200 janë ende në shqyrtim, 2600 të tjerët janë në rregull. Nga këta 200 gjysma po rikonsiderohet dhe pjesa më e vogël e kësaj armate rezulton, nuk besoj se jeni ju, që nuk përmbushin kriteret për të vajtur ose nuk kanë plotësuar kërkesat për të ndenjur s’kanë dhënë asnjë provim dhe mbyllet kjo çështje. Në favor të 2700-ve dhe jo të 100-ve po vazhdoj. Unë besoj se, ju pres dhe në zyrë për këtë çështje, po në zyrën time qëndrohet ulur, jo në këmbë, uluni ju lutem! Uluni, sepse ju nuk jeni sfondi i ndryshimeve të Shqipërisë së sotme, ju jeni vetë ndryshimi.”

Konventa Rinore shënoi precedentin e parë të debatit të hapur publik të ashpër mes qeverisë dhe të rinjve. /tvklan.al