TF1: Turizmi, fytyra e re e Shqipërisë

Listës së gjatë të mediave më të mëdha ndërkombëtare që kanë shkruar këtë periudhë për bumin turistik të Shqipërisë, i bashkohet edhe televizioni prestigjioz, TF1, një ndër kanalet franceze më të njohur në botë.

TF1 i ka kushtuar një reportazh të gjatë zhvillimit të turizmit në vendin tonë, duke vënë theksin te transformimi i shpejtë i Shqipërisë turistike, tek investimet e mëdha që po bëhen në sektorin e turizmit, por edhe tek bukuritë natyrore që ofron vendi.

Sipas televizionit francez, për shkak të zhvillimit të këtij sektori, Shqiperia është bërë kali i ri mbi të cilin investitorët e turizmit po vënë bastet e tyre.

“Imagjinoni një vend të shkëputur nga bota për 46 vjet diktaturë dhe më pas, befas, hapet dhe zbulon perlën që fshihte nga turistët e huaj”, shkruan TF1 në reportazh.

Reportazhi i plotë i medias franceze “TF1” për Shqipërinë turistike:

Imagjinoni një vend të mbyllur nga bota përgjatë 46 viteve diktaturë dhe që menjëherë, i hapet botës dhe u zbulon perlat që ka fshehur, turistëve të huaj.

“Është parajsë. Rëra e bardhë, uji i kaltër.”

“Koha, peizazhi, është më bukur sesa e kisha imagjinuar.”

“Dielli, deti, çmimet e lira.”

Kjo është kthesa e çmendur që ka marrë Shqipëria. Në një dyzinë vitesh, ky vend i panjohur i Ballkanit është kthyer në kalin e ri mbi të cilin, investitorët e turizmit po vënë bast.

“Shqipëria do të bëhet si Kroacia, si Greqia…”

Por si po transformohet vendi?

Durrësi, në perëndim të Shqipërisë, është i njohur historikisht si qytet portual buzë Adriatikut. Sot është stacioni bregdetar i vendit, me plazhin e madh dhe me këto komplekse hoteliere gjiganteske.

Fatos Cerenishti, president i “Fafa Group”: Mirësevini në hotelin tim më të madh. Ai mund të mirëpresë deri në 1100 persona.

Fatos Cerenishti ka ndërtuar 6 hotele të tillë. 1 mijë dhoma, pishina, restorante dhe gjithçka është e përfshirë për vetëm 80 Euro për person, bashkë me barin dhe bufenë sipas dëshirës. Dhe me një ballkon të vogël në çdo dhomë për të admiruar këtë pamje që ka ndryshuar shumë ndër vite.

Fatos Cerenishti, president i “Fafa Group”:  Gjithçka që ju shihni është ndërtuar në 15 vitet e fundit. Sepse të gjithë biznesmenët si unë e ndjenë që duhej. Investimi në turizëm ishte gjëja më e duhur për ekonominë e vendit.

Në fakt në këtë zonë, më shumë sesa spërkalat e ujit, janë zhurmat e kantierëve që të ngacmojnë veshët. Hotelet vazhdojnë të ndërtohen gjithandej me shpejtësi. Sipërmarrësi ynë po ndërton një kompleks të ri prej 6 hektarësh dhe jo me 1, por me 3 pishina.

Fatos Cerenishti, president i “Fafa Group”: Kjo këtu do të jetë 600 metër katrorë.

Por sa kohë duhet për ta ndërtuar?

Fatos Cerenishti, president i “Fafa Group”: Dy vjet.

Gazetarja: Nuk është shumë dy vjet.

Fatos Cerenishti, president i “Fafa Group”: Për shkak të eksperiencës që keni ne dimë t’i bëjmë shpejt dhe me shumë cilësi.

Por dihet që djalli fshihet në detaje. Dhe shumë detaje janë vënë re nga disa klientë.

“Ka ca vrima. Është bërë shumë shpejt.”

Dhe nëse flasim për mirëmbajtjen e pishinës, ajo bëhet me klor.

Po përse këtu bëhet gjithçka me nxitim? Dirigjentët e gjithë këtij ndërtimi janë turoperatorët, disa agjenci të specializuara që organizojnë pushime ku përfshihet gjithçka: avioni, hoteli, ekskursione, guida turistike për çmime nga 800 deri në 1300 Euro në javë për person. Padyshim që kjo sjell njerëz.

“Projeksioni që kemi për këtë vit është tek afro 100 grupe deri në mes të Tetorit. Diku te 4 mijë persona.”

Kjo agjenci ka në fokus veçanërisht turistët francezë që mund të shkojnë në Shqipëri për 2 orë fluturim nga Parisi.

“Shqipëria i përmbush të gjitha pikat që francezët duan: Të mos shpenzojnë shumë, deti, dielli, pishinat, të vizitojnë vende, por pa udhëtuar shumë larg.”

Janë turistë që duan gjithashtu të vizitojnë qytetet tipike të jugut, rrëzë maleve, ku gurët e vjetër po ia lënë vendin bitumit.

“Ky është një parking nëntokësor, tërësisht i ri.”

Parkingje të reja, rrugë të reja dhe në çdo rrugiçë, shtëpi që po rikonstruktohen. Ky investitor ka rikonstruktuar disa shtëpi të rrënuara për t’i shndërruar në hotele autentike.

Dragua Kalemi, administrator i hoteleve “Kalemi”: Unë u them të gjithë bashkëqytetarëve të mi që të mos i lënë paratë në banka. Është momenti për të investuar, për ta përmirësuar situatën.

Por në këto kohë, disa sipërmarrës janë investuar në një kantier tjetër, më të madh.

Tiphane Leproux, gazetare e TF1: Është kantieri i aroportit të dytë më të madh, më afër bregdetit sesa ai i Tiranës, domethënë më tërheqës për turizmin detar. Problemi është që ai është ndërtuar në mesin e një zone natyrore të mbrojtur që strehon mijëra lloje të ndryshme zogjsh.

Janë 165 specie që kërcënohen dhe për të cilat protestojnë shoqatat mjedisore të vendit.

Taulant Bino, drejtor i Shoqatës së Ornitologëve Shqiptarë: Ne nuk jemi kundër ndërtimit të aeroportit, por kundër një aeroporti në këtë zonë, sepse ne jemi të bindur që një diversitet i tillë natyror mund të tërheqë po aq shumë turistë.

Shoqata e tij akuzon qeverinë, por në zonat e banuara përreth, mbrojtja e zogjve nuk përbën ndonjë prioritet.

“Jemi të varfër. Mund t’u shesim prodhimet tona turistëve e të bëjmë tregti. Duhet bërë aeroporti me patjetër dhe shpejt.”

“Nëse qeveria e ndërton, është mirë për ekonominë.”

Duke u zhvilluar ekonomikisht dhe në mënyrë të shpejtë, Shqipëria po riprodhon të gjitha dështimet e turizmit masiv. Por një pjesë e këtij sektori dëshiron të besojë që s’është kështu dhe propozon disa qarqe më afatgjatë, me dërgimin e turistëve tek shtëpitë e njerëzve, larg komplekseve të mëdha.

Beranger Thibaut (Beronzhé Tibó) e ka nisur këtë aktivitet, por kërkesa nuk është ajo që duhet.

Beranger Thibaut, përgjegjës i “Pushime në Shqipëri”: Të rrish gjithë ditën në plazh dhe të mos vizitosh vendin, nuk e kuptoj se ku është interesi. Dhe në një moment të caktuar është kjo ajo për të cilën njerëzit kanë ardhur dhe më kanë pyetur. Dhe ju e kuptoni që përsa i përket numrit dhe masës, sigurisht që turizmi bregdetar dhe resorted që do të sjellin më shumë turistë.

Vitin e kaluar, vendi priti 7.5 milionë turistë. Parshikimet janë që të tërheqë 2 milionë më shumë këtë vit.

Tv Klan