Një udhëtim 9 ditor që nis nga Komani e përfundon në Vlorë, e ka çuar Shqipërinë në faqet e një tjetër media ndërkombëtare. Gazetarja e Prestigjiozes Britanike The Guardian, Teresa Machan, teksa rrëfen për lexuesit këtë itinerar, shkruan se në asnjë ndalesë nuk ka munguar mikpritja shqiptare.

Shqipëria përshkruhet si një vend me bukuri natyrore mbresëlënëse, si dhe me rëndësi ekologjike. Vitet e fundit Shqipëria ka filluar të joshë ata që kërkojnë vendpushime bregdetare me diell duke përfshirë Sarandën, Himarën dhe Vlorën, shkruhet ndër të tjera në artikull.

Mirëpo edhe Berati, Shkodra dhe laguna e Karavastasë sugjerohen po ashtu për pushuesit. Ekosistemi i lagunës së Karavastasë, shtëpia e pelikanit Kaçurrel ka tërhequr vëmendjen e gazetares.

Me parqe kombëtare të lavdishme dhe një mënyrë tradicionale jetese, vendi ballkanik thuhet se është një shembull sesi nga turizmi i gjelbër mund të përfitojnë si vendasit ashtu edhe vizitorët.

Tv Klan