Festimet e Emiliano Martinez janë kthyer në një problem për kombëtaren argjentinase. Portieri është pezulluar me dy ndeshje nga Federata Botërore e Futbollit, e cila e dënon kampionin e Botës për shkak të sjelljeve ofenduese.

Ylli i Aston Villa u shpall fajtor për “shkelje të parimeve të lojës së ndershme” në dy episode të veçanta. Martinez rezultoi se kishte shkelur kodin e sjelljes të FIFA-s kur mbante një kopje të trofeut të Copa America pas fitores në kualifikueset e Kupës së Botës ndaj Kilit më 5 Shtator.

Kjo nuk është hera e parë që Martinez kryen një veprim të tillë duke e bërë atë edhe me trofeun e Dorezave të Artë për portierin më të mirë të Kupës së Botës 2022. FIFA gjithashtu e pezulloi për goditjen e kamerës pas humbjes 2-1 nga Kolumbia më 10 Shtator.

Si rezultat i vendimit, Martinez do të humbasë ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Venezuelës më 10 Tetor dhe Bolivisë pesë ditë më pas. Argjentina është në krye të renditjes në zonën e Amerikës së Jugut me 18 pikë pas tetë ndeshjesh.

Klan News