“Për komunitetin LGBTQIA+, shteti dhe shoqëria duhet t’i mbrojë dhe duhet të mësojë për ta”, tha Albin Kurti më datë 10 Qershor 2023.

Pjesëmarrja në paradën e LGBT në Prishtinë ishte shfaqja më e hapur e mbështetjes së kryeministrit të Kosovës ndaj këtij komuniteti.

Tani Albin Kurti është i vendosur të kalojë një ndryshim në Kodin Civil të Kosovës që do t’i hapë rrugën legjislacionit për të lejuar bashkëjetesën brenda të njëjtit seks.

Prestigjiozja britanike “The Times” e konfirmoi këtë qëndrim të Kurtit duke e pyetur vetë atë.

“Në përgjithësi, dhe ndryshe nga e gjithë Evropa Lindore, në Kosovë ka një tolerancë të lartë për diversitetin. Sa njerëz e mbështesin këtë? Është e vështirë të dihet. Por unë besoj se jemi në krye të Ballkanit Perëndimor për sa i përket të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit, lirisë së shtypit”, tha Kurti.

Albin Kurti e kishte shprehur vendosmërinë e tij për të lejuar bashkëjetesën brenda të njëjtës gjini edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Është një pikë me rëndësi për të cilën ka pasur keqkuptime e keqinterpretime, e kjo është regjistrimi i bashkësive civile të personave me seks të njëjtë. Në fund të fundit të drejtat e njeriut janë të drejta të të gjithë njerëzve, sepse gjithsecili është krijesë e Zotit dhe natyrës”.

Por kjo përpjekje e ka vënë Kurtin në kundërshtim me disa deputetë të partisë së tij.

Parlamenti e bllokoi ndryshimin e Kodit Civil në Mars të 2022-shit, pasi 16 deputetë nuk u paraqitën. Vetëvendosje ka 58 nga 120 deputetët e Kuvendit, por të paktën 14 prej tyre janë kundër martesave brenda të njëjtit seks.

Për shkak të kundërshtive Kodi Civil nuk po dërgohet në parlament. Brenda partisë së Kurtit thonë se miratimi i legjislacionit do t’u humbiste atyre vota nga radhët e besimtarëve myslimanë, që i kundërshtojnë martesat brenda së njëjtës gjini.  Por shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila ka thënë se pavarësisht kësaj, Kodi do të miratohet brenda kësaj legjislature.

Aktivistët e LGBT thonë se Albin Kurti po i përdor, sepse ka nevojë për këtë komunitet, pasi nga ana tjetër qeveria e tij u ka dhënë më shumë zë ekstremistëve që janë kundër tyre.

Tv Klan