Një deklaratë e ambasadorit amerikan në Beograd, Christofer Hill se njohja e Kosovës nuk do të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE ka shkaktuar reagime jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Bruksel.

Diplomati amerikan tha në një intervistë për revistën e përjavshme serbe NIN se Beogradit nuk po i kërkohet njohja e Kosovës, por vetëm normalizimi i marrëdhënieve.

“Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka vende anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja, e rëndësishme, është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë, kufij që i bashkojnë ata realisht”, tha Christopher Hill, ambasador i SHBA në Serbi.

Në një reagim për radion Evropa e lirë, zëdhënësi i Bashkimit Europian Peter Stano tha se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Unionit pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën.

“Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, tha zëdhënësi i BE.

Qeveria e Kosovës ka këmbëngulur vazhdimisht se procesi i dialogut duhet të ketë në qendër njohjen reciproke. Bashkimi Evropian ka përdorur termin “normalizim I plotë” pa shpjeguar nëse kjo nënkupton edhe njohjen. I pyetur për këtë Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut për këtë çështje mbetet i pandryshuar” pa dhënë më shumë detaje.

Tv Klan