FIFA, ka thënë të mërkurën se ka nisur hetimet për thirrjet raciste të futbollistëve të Argjentinës, pas triumfit në Kupën e Amerikës. 

 “FIFA është e vetëdijshme për videon që po qarkullon në rrjetet sociale dhe është duke e hetuar incidentin. FIFA dënon çdo formë të diskriminimit nga çdokush, përfshirë lojtarët, tifozët dhe zyrtarët e klubeve”, – ka thënë një zyrtar i FIFA-s, për mediat.

Thirrjet janë dëgjuar drejtpërdrejtë në një video të postuar në rrjetet sociale nga mesfushori i Chelsea-t dhe Argjentinës, Enzo Fernandez, të dielën pas triumfit ndaj Kolumbisë në Miami. 

Disa lojtarë, përfshirë 23-vjeçarin Fernandez, kënduan këngë të cilat ishin dëgjuar edhe pas triumfit të Argjentinës ndaj Francës në Kupën e Botës 2022. 

Kënga e kënduar nga futbollistët argjentinas kishte si “objekt” origjinën afrikane të lojtarëve të Francës si dhe fyerje raciste dhe homofobike.

Chelsea më herët gjatë ditës ka njoftuar se ka nisur procedurë disiplinore ndaj Fernandezit për këtë incident. 

Enzo Fernandez ka kërkuar falje për veprimin e tij. 

“Kënga ka gjuhë shumë ofenduese dhe nuk ka asnjë justifikim për këto fjalë. Unë qëndroj kundër diskriminimit në të gjitha format dhe kërkoj falje për veprimin pas euforisë nga triumfi në Kupën e Amerikës”, – ka shkruar Fernandez në  ndjesën e tij publike.

Ankesë në FIFA ka dërguar edhe Federata e Futbollit e Francës. 

/tvklan.al