Pak kilometra larg kryeqytetit në këmbët e dy urave të vjetra të Rrogozhinës, buzë lumit Shkumbin prej 18 vjetësh tregtarë nga rrethe të ndryshme të vendit ruajnë traditën pazarit të fundjavës.

Pazari i Rrogozhinës kryhet çdo të diel dhe mbledh tregtarë nga rrethet e Peqinit, Rrogozhinës, Kavajës, Lushnjës dhe Durrësit.

Aty mund të gjesh ende zanatçinj të vjetër që nga samarxhinjtë, teneqepunuesit, stallierët e kovaçanët, të cilët grumbullohen për të shitur tek fshatarët punimet e tyre.

“Kam nja 20 vjet që shes edhe vazhdimisht për ditë të shtune vij këtu dhe shes samarin. Një samar kushton 15 mijë, gati 20 mijë lekë, nga 30 mijë i kam.”

“50 vjet që punojmë tregti kuajsh, mushka, gomarësh”.

“Që kur është hapur pazari për herë të parë kam ardhur këtu. Unë kam ardhur i pari edhe unë do vdes këtu. Moshën e kam, datëlindje ’30 jam”.

Por përveç tregtarëve të vjetër në këtë treg mund të gjesh dhe produkte të konsumit të përditshëm që shiten jashtë çdo standardi të higjienës dhe kushteve frigoriferike.

“Vijmë gjithmonë, këtu marrim. Këto kushte kemi ne, s’kemi të tjera.”

Gjithçka që mbetet pas tregtisë hidhet në lum ose në rrugë me një sipërfaqe prej pesë hektarësh.

I njëjti ritual përsëritet çdo fundjavë duke kthyer jo vetëm traditën, por edhe rrezikun për shëndetin e konsumatorëve dhe vetë mjedisin./tvklan.al

Gazetar: Drini Zeqo