Më tepër se një mijë e dyqind biznese në qytetin e Pogradecit kanë kundërshtuar rritjen e taksave të vendosura nga bashkia për këtë vit.

Ata i cilësojnë të papërballueshme tarifat e reja, që sipas tyre janë më të larta se në qytetet e tjera dhe nuk aplikohen njëlloj për të gjitha bizneset.

“Për bizneset e vogla nuk janë të përballueshme, prandaj ne kemi dalë edhe në protesta para bashkisë e kemi bërë dhe kërkesa me shkrim. Na kanë shtyrë përgjigje që do t’i rishikojmë”.

“Pogradeci është një nga taksat më të larta në të gjithë republikën, në të cilën taksa vendore ka vajtur rreth 500 mijë lekë për një biznes të vogël.”

“Mua më shqetëson fakti se nuk tatojnë të tërën, sipas punës që bëhet. Kjo rruga këtu e ka 60, rruga tjetër më lart që s’paguan tatime fare.”

“Me këto të ardhura që kemi, njeri nuk futet në dyqan që të blejë diçka se është normale që nuk kanë as njerëzit, me çfarë do blejnë, kështu që është shumë shumë e vështirë”.

Por edhe pse tregtarët kanë kërkuar rishikim të tarifave, nënkryetari i bashkisë pohon se rritja e tyre dhe vendosja për herë të parë e taksës së gjelbërimit ka ardhur si pasojë e kostove shtesë me firmat nënkontraktore të pastrimit të qytetit.

Erjon Vesho: “Vërejtjet e tyre mund të jenë të drejta për këtë vit, i cili është një vit, ndoshta edhe kriza. Normalisht ka pasur një rritje shumë të lehtë, për të cilën edhe biznesmenët vetë nuk patën rezerva. Nuk është e ligjshme që ato tarifa të ndryshojnë në këtë moment aktual, sepse e para e punës çështja është që këto tarifa kanë një efekt financiar mbi buxhetin e bashkisë dhe buxheti normalisht duhet të jetë i balancuar sepse nuk mund të paraqesësh një buxhet me më pak të ardhura se sa shpenzime do kryesh.”

Nëse bashkia nuk do të marrë parasysh kërkesat e tyre, tregtarët kanë paralajmëruar një grevë 24 orëshe.

Ata do të mbajnë të mbyllur dyqanet e tyre në shenjë kundërshtie ndaj rritjes së taksave nga pushteti lokal, duke paralajmëruar përshkallëzim të protestës së tyre./tvklan.al