Edhe pse ka zgjidhur problemin e ujit të pijshëm Pogradeci do të vuajë dhe këtë verë ndotjen e liqenit nga derdhja e ujërave të zeza.

Pak ditë pas hapjes së sezonit turistik numri i pushuesve është më i vogël se një ditë më parë, kjo për shkak të frikës nga infeksionet dhe epidemitë.

Liqeni është i ndotur dhe i turbullt në pjesën më të madhe të tij.

“Është i qelbur uji. Ja shiko, ke ndonjë të futur në ujë dhe…”.

“Nuk është pastruar, akoma nuk është pastruar dhe ujërat e zeza kanë filluar për t’i hequr”.

Lidhur me këtë problem autoritetet e pushtetit lokal dhe të bashkisë së Pogradecit pranojnë se derdhja e ujërave të zeza në liqen do të vazhdojë edhe për këtë verë.

Erjon Vesho: “Është e vërtet që projekti për kolektorin kryesor të ujërave të zeza dhe impiantin e pastrimit nuk ka përfunduar dot brenda kësaj vere. Janë marrë masat që të minimizohen derdhjet e ujërave të zeza në liqen, të paktën në territoret dhe pjesën ku zhvillohet plazhi”.

Projekti për ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza ka filluar një vit më parë me financim të qeverisë gjermane.

Përfundimi i tij pritet të zgjidhë përfundimisht problemin e papastërtisë së ujit, por edhe mbrojtjes së ekosistemit./tvklan.al