Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Sipas nënkryetarit të Partisë Demokrate të Re Tritan Shehu, ideja e Partisë Socialiste për të bashkëpunuar me opozitën disa kohë më parë nuk ishte e qartë. Realizimi i disa reformave nuk duhet parë vetëm ndërmjet dy forcave të mëdha të politikës, PD dhe PS, por të përfshihen të gjitha partitë politike të djathta e të majta, shprehet Shehu.

Tritan Shehu:- “Por të thuash për bashkëpunim në tërësi në mënyrë teorike, thashë është një fjalë e përgjithshme e madhe, e cila duhet detajuar, duhet përcaktuar dhe duhet përkufizuar qartë. Unë nuk mendoj se do të ishte racionale, të përsërisnim skemat e dashurisë së madhe midis Nanos dhe Berishës, që ne pamë pak kohë përpara dhe që realisht nuk sollën asgjë të mirë. Unë mendojë që është momenti për të respektuar ligjin, për të respektuar vlerat demokratike, për të respektuar institucionet, për të gjetur ato rrugë më të mira që ka nevojë vendi sot, për të dalë nga kriza e thellë ku është”.

Sipas Shehut, opozita nuk është faktor frenues për realizimin e reformave pasi është detyrë e qeverisë. Opozita bën oponencën dhe duhet të transmetojë mesazhe të qarta tek opinioni publik./tvklan.al