Tronditet sërisht selia e komunitetit mysliman. Një telefonatë anonime ka deklaruar vendosjen e një bombe në këtë komunitet. Ky alarm i është dhënë policisë, e cila ka mbërritur menjëherë sëbashku me qent antieksploziv për kontroll. Rreth orës 11 të paradites punonjës të komunitetit janë përballur me policinë, e cila ka kërkuar daljen e menjëherëshme të tyre jashtë këtyre ambjenteve, pa sqaruar me hollësi.

Anëtar i komuniteti mysliman: “ Ishim në komunitetin mysliman Shqiptarë, po vazhdonim punën e përditëshme, erdhi policia dhe na lajmërojë se të gjithë punonjësit e komunitetit mysliman duhet të lënë zyrat dhe të dalin jashtë. Vetëm kaq jemi të informuar”.

Gazetarja: Nuk ju informuan se pse ju nxorën kaq me forcë dhe urgjencë jashtë? Me dyshim e shikoni këtë dalje tuajën?

Anëtar i komuniteti mysliman: “Nuk di çfarë të themë, zbatuam urdhrin e policisë. Kaq kam për këtë, besoj ju a thashë çfarë kisha për të thënë, tani ju lutem duhet të na lini të qetë”.

Gjithçka vjen pas një jave nga vrasja e sekretarit të përgjithshëm të komunitetit mysliman, Sali Tivari. Megjithëse alarmi rezulton i rremë, frika e besimtarëve egziston dhe ndonjëherë lidhet me ngjarjen e ndodhur të hënën e shkuar, e cila ende nuk është zbardhur.

Nëse vendosja e rremë e lëndëve eksplozive është bërë publike dhe e zakonshme në institucione të tjera, kjo është hera e parë që guxohet të vihet në alarm një kult fetar pa patur arsye. Po këtë paradite policia është sinjalizuar për vendosje bombe edhe në dy shkolla të tjera në kryeqytet. Është e kuptueshme qe janë vetë nxënësit ata që bëjnë lajmërime fallse. Por për këtë komunitet është e vështirë të gjeshë arsyen pasi telefonatat nuk indetifikohen../tvklan.al