Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Partia Demokrate e Re vazhdon fushatën në komunat e Lushnjes. Kryetari i PDR Pollo ka përkrahur në tubimet elektorale kandidaturën e Veri Nezhës në Shegan, të Rako Meritkos në Krutje, të Mihal Janit në Gradisht dhe Xhavit Arabit në Tërbuf.

Genc Pollo:- “Ne jemi në Çermë, ku para dy vjetësh në zonën 60, ndodhi ajo që u quajt fenomeni i Dushkut është rasti për të thënë përsëri, që ne Partia Demokrate e Re, të gjithë qytetarët dhe komisionerët e ndershëm, pavarësisht nga vullneti i udhëheqësve të tyre dhe komuniteti ndërkombëtar, nuk do të lejojmë, që fenomeni i Dushkut dhe manipulimi i votave të përsëritet”.

Në të njëjtin qytet Lushnje, ka qenë edhe kreu demokristian Nikollë Lesi, i cili lëshoi mesazhin për votuesit shqiptarë që të mos votojnë këtë radhë për dy partitë e mëdha në mënyrë që asnjëra prej tyre të mos fitojë shumicën, pasi kalohet në diktaturë demokratike.

Ndërsa kryerepublikani Mediu ka vijuar takimet e tij me elektoratin e qytetit të Fierit. Zoti Mediu, duke theksuar situatën kritike të krimit dhe mungesën e sigurisë në vend tha:

Fatmir Mediu:- “Në bulevardin kryesor të Tiranës vritet shoferi i prokurorit të përgjithshëm, dy ditë më vonë vritet një djalë 27 vjeçar, vritet një biznesmen, të tjerë mbyten në kanalin e Otrantos, të tjerë vriten në kufi, e ç’na duhet një qeverisje, e cila nuk siguron dot minimalisht jetën tonë? Ne republikanët kur kërkojnë dënimin kapital, nuk e kemi se na dhimset jeta më pak se socialistët”.

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo, ka qenë në disa nga komunat e rrethit të Peshkopisë, për t’u takuar me elektoratin e kësaj partie në këto zona./tvklan.al