Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Paskal Milo: “Partia Socialiste ka pësuar krisje jo të vogël, e cila që të riparohet ka nevojë për reforma të thella, të cilat duhet të pasqyrohen patjetër në përbërje dhe në metodën e qeverisjes. Çdo gjë që ndodh, si aajo që ndodhi mbrëmë, nuk duhet përjashtuar, thjeshtë si një interpretim kapriçoz, i një dokumenti të caktuar, por duhet të shërbejë si një moment reflektimi, për shumë gjëra dhe në radhë të parë për të përmirësuar imazhin e qeverisjes.”

Lufter Xhuveli: “Tashmë nuk kemi një mazhorancë të mirëfilltë, të konsoliduar, çka do të thotë që PS dhe kryeministri Nano, do të duhet që me urgjencë të shikojnë mundësinë e konsolidimit të një vote mazhoritare në Kuvend, për të përballuar kështu ecurinë e reformave dhe miratimin e legjislacionit dhe një stabilitet deri në zgjedhjet e ardhshme.”

Ekrem Spahia: “Ne në radhë të parë i bëjmë thirrje zotit Nano, që të vijë për votëbesim, pastaj gjithë opozita duke bashkëpunuar me të gjithë ata deputetë të PS, që kanë votuar kundra, duhet të bashkëpunojmë që të krijojmë mundësinë që Nano të dorëzojë mandatin e kryeministrit.”

Ligoraq Karamelo: “Unë gjykoj se jo vetëm thjeshtë nga numri i votave dje në parlament, por edhe nga vetëpërmbajtja e akuzave të zotit Lesi, tashmë qeverisja ka rënë. Kryeministri Nano nuk e gëzon më, jo vetëm mbështetjen e simpatizantëve të tij, por ndoshta dhe të aleatëve, që ai i konsideron se i ka të tillë.”/tvklan.al