Turi i opozitës në kuadër të lëvizjes “Nano ik!” ka vazhduar sot në Lushnjë. Në mitingun e mbajtur kreu i partisë demokratike ka sulmuar sërish Nanon dhe qeverinë e tij. Bashkimi Evropian, NATO, Këshilli i Evropës kanë deklaruar se Shqipëri nuk mund të integrohet pa zgjedhje të lira dhe zgjedhje të lira me Nanon kryeministër nuk mund të ketë, ka deklaruar Berisha.
Sali Berisha: “Ndaj dhe njëherë ju bëj thirrje të ngrihemi në ktë lëvizje gjer në largimin e tij. Duke larguar Fatos Nanon i kemi provuar Europs se e largum për t’hyrë në Bashkimin Europian, se e largum për t’u antarsu në NATO, se e larguem për të patur vizat e Shengenit për t’shëtitur si t’gjithë europiant në Europë dhe jo për t’u mbytur në det.”
Edhe kreu i demokristianëve Nikollë Lesi ka sulmuar kryeministrin dhe familjen e tij duke i cilësuar si familje mafioze.
Nikollë Lesi: “Sikur ato dollarë që kryeministri harxhoi në janar të ktij viti në Stamboll për të rregulluar rrudhat e fytyrës të vihen në Lushnje një rrugë ishte shtruar. A e dini, të nderuar, që krimi është në ktë familje dhe insistoj, jam i bindur dhe për ta luftuar der në fund, se është e keqja e ktij vëndi. Kjo familje mafioze e tipit siçilian.”/ tvklan.al