Bukuritë natyrore të Shqipërisë kanë zënë faqet kryesore të mbarë revistave dhe gazetave të huaja. Promovimi për vendin tonë po shtohet çdo ditë e më shumë dhe bashkë me të edhe numri i turistëve. Ata vlerësojnë bukuritë natyrore dhe kulinarinë e Shqipërisë, që disa prej revistave më prestigjioze e konsiderojnë si një “vend i bukur, ende i paekspozua”.  

Në një intervistë për Klan News, Albana Nanaj, autorja e emisionit “Check-in”, i cili tregon dhe promovon vendet turistike në mbarë botën, tha se turizmi natyror dhe ushqimi cilësor janë disa nga pikat tona më të forta.

“Është fat që ne kemi akoma agroturizmin ose turizmin natyror që është pikë shumë e fortë e jona, kështu që duhet të mëshojmë më tepër në atë se sa të mburremi me pjesën e plazhit. Ne kemi ushqime shumë të shijshme mendoj përveç faktit që kuzhina jonë është një përzierje, mund të themi është mesdhetare, është orientale ka ndikime të ndryshme, por kjo e ka bërë të jetë më e larmishme. Dhe sigurisht është cilësore, kemi fatin që shumë kuzhinierë janë kthyer dhe kanë sjellë përvojën e tyre në vend kështu që kjo e ka bërë që kuzhina të jetë me të vërtet shumë e mirë dhe cilësore, sepse produktet bazike i kemi akoma më të mira. Kështu që kjo është një tjetër pikë e fortë çdo turist aty ku ha dhe ushqehet mirë e mban mend atë destinacion kjo është e sigurt,” u shpreh Nanaj.

Ndërkohë që turizmi i shtuar e ka gjetur deri diku vendin tonë të papërgatitur për të përballuar një turizëm masiv elitar. Emigracioni dhe mungesa e fuqisë punëtore janë disa nga vështirësitë që po has vendi ynë. Por Albana Nanaj thotë se ky është një problem global pasi shumë vende të tjera po përballen me të njëjtën vështirësi duke marrë shembullin e vendeve të Evropës si Italia, Franca dhe Spanja.

“Ne duhet ta kalonim me patjetër, por ndërkohë është duke e kaluar edhe Evropa, nuk jemi vetëm ne. Po të shkosh në Itali, në jugun e Francës në Spanjë kërkojnë gjithnjë punëtorë, shikon lajmërime pune, kështu që nuk është vetëm e jona. Ne e ndjemë pak më shumë, sepse jemi një nga ato vende që kemi patur emigracion vazhdimisht, vazhdojnë njerëzit të emigrojnë sepse ne mendojmë se po iu rrisim rrogat pse të mos rrinë këtu. Por ndërkohë të njëjtën gjë po bën edhe Evropa, sepse ka nevojë për fuqi punëtore, kështu që unë mendoj se ky është një problem që ne do ta hasim,” vazhdoi më tej Albana Nanaj.

Turistët e huaj e vizitojnë vendin tonë për peizazhet dhe plazhet e bukura që ofron, por autorja e “Check-in” e konsideron mungesën e shërbimit cilësor si një pikë që ne duhet të punojmë dhe ka nevojë të shtuar për përmirësim në mënyrë që të përputhet me standardet që kërkohen nga turistët.

“Shërbimi është pika jonë e fortë, sepse kudo, pavarësisht vendit të bukur që t’i sheh, sigurisht natyra të bën për vete. Do të kthehesh në hotel, do të kesh një lloj shërbimi, pastaj ne po flasim, po themi në thonjëza, ne jemi të fundit që kemi arritur tek zhvillimi i turizmit veçanërisht në rajon. Bota që afrohet tek ne është mësuar me turizëm kështu që e di se çdo të thotë një shërbim i mirë apo i keq. Që ne të konkurrojmë dhe të kemi qëndrueshmëri, patjetër duhet të mëshojmë shumë tek shërbimi dhe tek shërbimi duhet patjetër shkolla profesionale që njerëzit që punojnë të mos jenë të improvizuar”.

Pavarësisht sfidave dhe problemeve, Shqipëria gjithsesi konsiderohet si një vend i sigurt për turistët dhe nuk përbën kërcënim për ata. Megjithatë siguria në plazhe mbetet një pikë shumë problematike për të cilën duhet të ketë një bashkëpunim mes sektorit publik dhe atij privat.

“Ne jemi një nga vendet shumë të sigurta. Unë kam vizituar shumë vende të tjera, që çfarë lexoja ishte e frikshme ta mendoje. Jo ne jemi një vend i sigurt, mendoj se kemi qenë. Në kulturën tonë, në zakonet tona është që mikun e mirëpresim. Nuk kemi atë lloj tentative që të mos i presim mirë dhe të përbëjmë një rrezik për turistët në përgjithësi jemi shumë korrektë. Kështu që mendoj se jemi një vend i sigurt, konsiderohemi një nga vendet e sigurta ashtu siç është Evropa. Shërbimet në plazhe, banjat publike, rojet nëpër plazhe duhet të jenë më patjetër. Unë mendoj se përveç iniciativave personale që duhet të ketë çdo hotel, siç punëson të gjithë duhet ta ketë edhe atë rojen e plazhit, që në shumë vende mungon. Dhe në jug po ta shohim kemi shumë plazhe që janë pa vrojtues dhe sigurisht Ministria e Turizmit duhet të bëjë punën e vet, duhet t’i kontrollojë. Nuk duhet t’i japë licencën e aktivitetit një biznesi nëse nuk ka rojen bregdetare,” përfundon Albana Nanaj./tvklan.al