Në një atmosferë të zymtë, Ukraina ka shënuar “Ditën e Pavarësisë”, ndërsa lufta e vendit kundër agresionit rus arrin një moment historik.

Nuk janë planifikuar festime, parada apo koncerte dhe në vend të kësaj ukrainasit do ta shënojnë ditën me përkujtime për civilët dhe ushtarët e vrarë në luftë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe gruaja e tij Olena Zelenska bënë homazhe për ushtarët e rënë dhe morën pjesë në një lutje për Ukrainën.

Në ceremoninë e lutjes morën pjesë krerët e kishave ortodokse dhe greko-katolike dhe myftiu i Krimesë.

Në një fjalim Zelensky u zotua të hakmerret ndaj Rusisë dhe theksoi se lufta e nisur nga armiku tani është përhapur në territorin e saj.

“Ukrainasit i paguajnë gjithmonë borxhet e tyre. Dhe kushdo që dëshiron mjerim në tokën tonë, do ta gjejë atë në shtëpinë e vet. Kjo nuk është një profeci, as lavdi, as hakmarrje e verbër; është një model. Armiku ynë do të dijë gjithashtu se çfarë është hakmarrja. I denjë, simetrik, me rreze të gjatë. Ata do ta dinë se herët a vonë një përgjigje ukrainase do të arrijë në çdo pikë në Federatën Ruse që është burim rreziku për jetën e shtetit tonë dhe popullit tonë”, tha ai.

Presidenti në mënyrë simbolike zgjodhi të regjistrojë fjalimin në qytetin verilindor të Sumy, vetëm disa kilometra nga kufiri rus, ku forcat ukrainase kaluan në Rusi më 6 gusht.

“913 ditë më parë, Rusia nisi luftën e saj kundër nesh, pjesërisht përmes rajonit Sumy. Ata shkelën jo vetëm kufijtë sovranë, por edhe kufijtë e mizorisë dhe sensit të përbashkët, të shtyrë nga një dëshirë e pangopur për të na shkatërruar”, tha ai.

Mes të tjerash Zelensky nënshkroi disa ligje që synojnë Rusinë duke përfshirë ratifikimin e një statuti që i hap rrugën Ukrainës për t’u bashkuar me Gjykatën Penale Ndërkombëtare (IÇ).

Ratifikimi i Statutit të Romës nga ana e Ukrainës rrit shanset që Rusia të ndiqet penalisht për krime lufte që nga fillimi i agresionit të Moskës në shkurt 2022.

Udhëheqësit ukrainas e kanë konsideruar anëtarësimin në IÇ si thelbësore për aspiratat evropiane të Kievit.

Inkursioni i befasishëm i Ukrainës në rajonin e Kurskut të Rusisë, i dha luftës një kthesë befasuese, duke i shtuar një front të ri konfliktit për t’iu kundërvënë përparimeve të Rusisë në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore. 

Aktualisht ushtria e Ukrainës pretendon se ka 1200 kilometra katrorë të territorit rus në Kursk, dhe javën e kaluar nisi gjithashtu sulme me dron që kanë goditur ura strategjike dhe fusha ajrore dhe bazat ruse të dronëve.

Ndërkaq presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi për një paketë të re me ndihmë ushtarake për Kievin.

Paketa e re përfshin raketa kundërajrore, pajisjet për dronët, raketa antitanke dhe municion.

Klan News