Në Kajro nis këtë të Shtunë një tjetër përpjekje për arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës. Hamasi sërish nuk ka pranuar të jetë prezent në tryezën e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara dhe ku të pranishëm pritet të jenë edhe përfaqësues të Izraelit.

Megjithatë, një funksionar i Hamasit mbërriti këtë të Shtunë në kryeqytetin egjiptian për bisedime me zyrtarët e agjencive vendase të inteligjencës.

Shërbimet egjiptiane të inteligjencës janë të përfshira në përpjekjet për ndërmjetësimin e paqes mes Hamasit dhe Izraelit.

Në fokus të bisedimeve është lirimi i pengjeve të mbetur në duart e Hamasit, në këmbim të disa të burgosurve nga Izraeli.

Përfaqësuesit e qeverisë izraelite paraqitën këtë të Shtunë në tryezë edhe një propozim të ri që një njësi e Kombeve të Bashkuara të mbikëqyrë të ashtuquajturin “Korridori i Filadelfit” përgjatë kufirit mes Rafahut dhe Egjiptit.

Propozimi i mëparshëm që Izraeli të kontrollonte këtë zonë, pas fundit të luftës në Rripin e Gazës u bë shkak për dështimin e bisedimeve të nxitura nga sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken në fillim të kësaj jave.

Kusht i panegociueshëm për Hamasin është tërheqja e ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës, ndërsa Izraeli synon të spastrojë Gazën nga Hamasi.

Tv Klan