Parlamenti Evropian ka zgjedhur me 401 vota pro dhe 284 kundër në një votim të fshehtë politikanen 65-vjeçare gjermane Ursula Von Der Leyen për një mandat të dytë pesë vjeçar si presidente të Komisionit Evropian.

Për tu rizgjedhur Von Der Leyen kishte nevojë për shumicën absolute të votave të 720 eurodeputetëve.

Rizgjedhja e saj në sallën e Parlamentit Evropian u shoqërua nga pasiguria e numrave mes eurodeputetëve.

Përpara votimit Von der Leyen paraqiti planin e saj pesëvjeçar ku përfshiu si prioritet edhe procesin e zgjerimit të BE-së. Ajo sërish nuk dha afate se kur shtetet ballkanike do të bëhen pjesë e familjes evropiane, por premtoi të mbështesë investime dhe reforma me planin e rritjes për rajonin përpara anëtarësimit të plotë.

Von Der Leyen iu referua 20-vjetorit të zgjerimit më të madh ndonjëherë në vitin 2004 me anëtaresimin në BE kohë kur në njëjtën ditë u anëtarësuan Polonia, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia, Lituania, Sllovenia, Letonia, Estonia, Qipro dhe Malta. Sipas saj asokohe ky proces rezultoi si sukses për këto vende, dhe për BE-në në tërësi.

Të 27 udhëheqësit evropianë e paraqiten zyrtarisht kandidaturen e Von der Leyen në një samit në Bruksel në fund të qershorit pavarësisht rezistencës nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila abstenoi nga votimi.

Klan News