Ndërtimi i një banese private në zonat rurale shumë shpejt do të jetë edhe më e lehtë nga ana e procedurave dhe dokumentacionit ligjor. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Konsultativ mes Qeverisjes Qendrore dhe Vetëqeverisjes Vendore, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj propozoi lehtësim të procedurave të nxjerrjes së lejeve të ndërtimit, duke u ardhur në ndihmë së pari banorëve nëpër fshatra.

“Është një problem shumë i madh, kërkon një volum të jashtëzakonshëm pune. Procedura për leje është njësoj, si për një shtëpi në fshat, si për një infrastrukturë të madhe në qytet, një hotel ikonik, kështu që besoj se jemi në momentin ideal për ta adresuar çështjen”.

Kryebashkiaku Veliaj shprehu nevojën që procedurat të lehtësohen edhe për lejet për agroturizëm dhe veprat publike, që janë në dobi të komunitetit.

“Propozimi ynë është që të lehtësohen këto procedura, siç po lehtësojmë shtëpitë e fshatit, muret rrethuese, ashtu të lehtësohet edhe infrastruktura që kërkohet të pajiset me leje për efekt të fondeve të AZHBR-së, që janë struktura kryesisht akomoduese”.

I pranishëm në këtë të takim ishte edhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbian Mazniku, i cili siguroi se këto ndryshime janë pjesë e një pakete më të madhe, e cila synon të lehtësojnë jetën e qytetarëve.

“Kombinimi i dy VKM-ve, 408 dhe 283, do të thjeshtëzojë në mënyrë shumë të madhe dhënien e lejeve, jo vetëm për ndërtimet, pra mure rrethuese, mure mbajtëse, çati, shtëpi tip, por edhe për objektet blegtorale, duke thjeshtëzuar masivisht procesin”.

Mazniku theksoi se e gjithë kjo paketë ndërlidhet edhe me kontrollimin dhe disiplinimin e ndërtimeve në ndërtim.

Tv Klan