Është një nga hapësirat detare më të frekuentuara në veri të vendit. Velipoja është një ndër destinacionet e pushimeve të verës dhe këtë zonë në këto ditë të Gushtit e gjen të mbushur me vizitorë të shumtë. Nuk janë vetëm pushues nga Shkodra e zonat përreth apo shtete e rajonit, këtu gjen edhe turistë te huaj. Vizitorët vlerësojnë veçanërisht kushtet dhe pastërtinë .

“Edhe vjet ka qenë mirë, por sivjet diçka edhe më mirë me të vërtet. Është edhe bukur i plotëson kushtet tamam,” tha një pushues.

“Më mirë është. Unë kam qenë edhe vjet, por si vjet është shumë më mirë, pastërtia, grumbullimi i plehrave dhe çdo gjë tjetër,” u shpreh një tjetër pushues.

“Jemi jashtëzakonisht shumë të kënaqur. Kanë bërë me të vërtet shumë ndryshime. Shpresojmë që çdo ditë të bëhet akoma më mirë,” tha një tjetër.

“Çdo gjë është në rregull e shikoni edhe vetë nga pushuesit rreth e rrotull se sa e frekuentojnë,” u shpreh një pushuese.

Këtë vit hapësirat publike janë shtuar krahasuar me vitin e kaluara dhe ky është një ndryshim pozitiv për vizitorët.

“Ata që nuk ka shumë mundësi dhe nuk ka aq shumë buxhet mund të vijë këtu dhe të pushojë,” tha pushuesi.

“Jam shumë i kënaqur më shumë për shërbimin publik. Ne edhe mund t’ia dalim që ta paguajmë, por një që është pensionist. Ky plazh është jashtëzakonisht shumë i mirë edhe për ata,” tha më tej pushuesi.

“Pjesa publike është shumë herë më mirë se vitet e tjera. Vitet e tjera ka qenë shumë më keq,” tha një pushuese.

Këtë vit autoritet kanë punuar edhe për sigurinë duke bërë që policia të patrullojë vazhdimisht në bregdet. Velipoja ndodhet 35 kilometra larg nga Shkodra dhe është një nga destinacionet më të preferuara në këtë qark.

Klan News