Tirana do jetë një qytet edhe më solidar, duke u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Këshilli Bashkiak i Tiranës zhvilloi sot mbledhjen e radhës ku miratoi një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat prekin personat që trajtohen në qendrat sociale dhe komunitare të Bashkisë së Tiranës, por edhe ata që nuk kanë një shtëpi të tyren dhe që  trajtohen me bonus qiraje. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke u ndalur te vendimet e miratuara theksoi se ato ndihmojnë personat që janë në situatë rruge dhe të pastrehët, të cilët frekuentojnë institucionet sociale të Bashkisë Tiranë.

“Po bëjmë një rritje të kuotës ditore në qendrat sociale dhe përmes këtij vendimi përfshihet edhe në regjimin e kuotave ditore Qendra Komunitare që kemi në Shkozë ku bëhet një trajtim i shumë prej grupeve vulnerabël, kryesisht komunitetit rom dhe egjiptian në atë zonë dhe ku qendra ka performuar jashtë mase por tani do ta vendosim në regjim të kuotave ditore, do të thotë në ofrimin e mensës sociale dhe të gjithë shërbimeve që po ofrojnë edhe qendrat e tjera të Bashkisë së Tiranës”,

tha Veliaj.

Gjithashtu ai theksoi se një tjetër vendim krijon mundësinë për trajtimin me bonus strehimi të 60  familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë në tregun e lirë. “

Besoj se në këto dy vjet të gjithë ndihemi mirë për mënyrën se si bashkia ka kthyer vëmendjen ndaj çështjeve sociale dhe grupeve vulnerabël, duke filluar nga mënyra se si trajtojmë emergjencat civile siç ishte i ftohti apo përmbytjet apo edhe me çështjet e strehimit. Sot kemi 5 qendra sociale funksionale, 4 administrohen 100% nga Bashkia, do të përfshihet edhe kjo e Shkozës dhe një është në partneritet me organizata të shoqërisë civile. Kemi momentalisht 90 profesionistë të fushës, duke filluar nga punonjësit socialë e duke vazhdua

r deri tek psikologët e mjekët, për ata që kanë nevojë për terapi dhe që marrin trajtim të veçantë në këto qendra”, shtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës është angazhuar në një projekt madhor për adresimin e problematikave të fëmijëve në situatë rruge duke u ofruar mundësi që të arsimohen dhe të gjejnë një zgjidhje tjetër për të jetuar. “

Gjatë vitit 2016-2017 në terren, në kryqëzimet kryesore kanë operuar nga 12 skuadra të shërbimeve sociale duke realizuar maksimalisht 160 dalje në terren çdo muaj dhe duke identifikuar 313 fëmijë në situatë rruge, 165 prej të cilëve janë në menaxhim dhe po ndihmohen aktivisht nga Bashkia e Tiranës për ofrimin e te gjitha shërbimeve të domosdoshme pavarësisht se shumica vijnë nga qytete dhe rrethe të tjera të vendit”

, theksoi ai.

Ai gjithashtu theksoi se në këtë kuadër Bashkia shumë shpejt do të hap edhe një qendër të emergjencave për të grumbulluar aty edhe rezervat për ditë të vështira.

“Kemi marrë vendimin dhe tashmë jemi gati për ta hapur Magazinën e Emergjencave të Tiranës, pra rezervat e qytetit, për të përballuar me nevoja të emergjencës deri në 1500 paketa ushqimore, apo paketa të emergjencës, që të sigurohemi që sa herë që ka emergjenca në Tiranë, të kemi rezervat e qytetit”

, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se programi i kredive të buta është pritur me një interes të madh nga qytetarët, ndërsa theksoi se ai do të çlirojë në tregun e ndërtimeve rreth 60 milionë dollarë. “

Siç jeni në dijeni, tashmë e kemi lidhur kontratën, jemi në mënyrë aktive duke marrë aplikime për kreditë e buta, deri tani kemi mbi 700 aplikime, besoj që deri në datë 8 qershor do të kemi mbi 1 mijë. Jemi të përgatitur për të dhënë kredi të buta për 1000 familje, të cilat do të përkthehen në 60 milionë dollarë që lëvrohen nga banka për të blerë apartamente të reja, kryesisht me targetin që miratoi ky këshill, që janë, familje të reja, çifte të reja më fëmijë, që kanë nevojë le të themi për një dorë teksa blejnë banesën e tyre të parë”,

theksoi Veliaj.

Në fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës paralajmëroi edhe nisjen shumë shpejt të rikonstruksionit të plotë të Pallatit të Kulturës për ta harmonizuar atë me pamjen që ka marrë sot sheshi “Skënderbej”. “

Me përfundimin e sheshit “Skënderbej” kjo bëhet në fakt më urgjente se kurrë. Kemi këtë stonim me Pallatin e Kulturës që do të donim ta adresonim menjëherë, ndaj me të marrë autorizimin e këtij Këshilli, do të fillojmë edhe një plan “agresiv”  investimesh në atë që quhet kilometri 0 i Republikës së Shqipërisë që është sheshi “Skënderbej”, ndaj ju ftoj ta votoni këtë vendim”,

tha Veliaj.

Veliaj u shpreh se sa i përket infrastrukturës arsimore ka nisur ndërtimi i 4 shkollave të reja ndërsa theksoi se 17 të tjera do të jenë nga projekti i partneriteti publik-privat, çka pritet t’i japë fund përgjithmonë problemit të mësimit me dy turne. “

Në Tiranë po ndërtojmë 3 shkolla të reja, ndërkohë që së shpejti do të fillojë zbatimin nisma për ndërtimin edhe të 17 të tjerave, të cilat e çojnë në 20, në fakt bashkë me shkollën “Kosova” bëhen 21 shkolla të reja, që me shpresë do t’i japin fund mësimit me 2 turne në Tiranë dhe mbipopullimit të klasave. Ky ka qenë një nga premtimet tona kryesore në fushatën e përpara 2 viteve dhe besoj se mbajtja e këtij premtimi është një lajm i mirë për të gjithë familjet dhe fëmijët e Tiranës. Projekti i ndërtimit të 20 shkollave të reja është në fakt një lajm i mirë edhe për ekonominë e Tiranës, bankat do të gjenerojnë rreth 60 milionë dollarë për të gjithë sipërmarrësit që do të ndërtojnë shkollat”,

theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës njoftoi anëtarët e Këshillit Bashkiak edhe për hapjen gjatë muajit qershor të disa nga veprave madhore që janë ndërtuar në Tiranë gjatë këtyre dy viteve, përfshi parkun Olimpik, Sheshin “Skëndërbej” dhe segmentin e parë të Bulevardit të Ri. “Në datën 4 qershor do të hapim Parkun Olimpik të Tiranës. Në datën 10 qershor do të bëjmë hapjen ceremoniale të sheshit “Skënderbej”. Ndërkohë që në datën 17 qershor do të bëjmë hapjen e Bulevardit të Ri të Tiranës, segmenti i parë”, tha Veliaj duke ftuar këshilltarët që të bëhen pjesë e këtyre ngjarjeve./tvklan.al