Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në homazhet e zhvilluara në Varrezat e Dëshmorëve, për 82-vjetorin e Konferencës së Pezës. Veliaj tha se kur shqiptarët bëhen bashkë mund të bëjnë gjëra të mrekullueshme.

“Qartazi historia e përsërit veten, qartazi forcat fashiste janë akoma gjallë. Fakti që sot një pjesë e madhe e Europës është e shqetësuar që forcat fashiste po fitojnë në parlamentet lokale, madje disa po shkojnë edhe në Parlamentin Europian tregon se sa e rëndësishme është që të mësojmë historinë dhe të kujtohemi që kur në shqiptarët jemi bashkë mund të bëjmë gjëra të pamundura.”

Në mesazhin e tij, Veliaj bëri një apel për bashkim, duke lënë pas ndasitë politike kur bëhet fjalë për punë që çojnë përpara zhvillimin e vendit.

“Sot më shumë se kurrë lipset që të bashkohemi prapë si para 82 vitesh. Jemi të shpërndarë në disa parti, në disa bindje, fe, por i takon gjithmonë atyre që qeverisin që ta shtrijnë dorën e ta hapin tryezën për të gjithë dhe sa i përket shumicës tonë ne e kemi zemrën e hapur, mendjen e hapur dhe krahët e hapur për këdo që do të punojë për Shqipërinë europiane, për vizionin 2030 dhe për Tiranën tonë të mrekullueshme.”

Sipas kryebashkiakut pas ceremonisë zyrtare në Varrezat e Dëshmorëve, dita në Pezë do të vijojë me aktivitete për fëmijë e të rritur.

Klan News