Katër vendet arabe që po udhëheqin sanksionet kundër Katarit, kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa të reja kundër tij.

Në një deklaratë të lëshuar të premten, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahrejni akuzuan Dohan për vazhdimin e, siç thanë, “politikave që destabilizojnë sigurinë në rajon”.

Ato u zotuan se “do t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme politike, ekonomike dhe ligjore kundër Katarit, në kohën e duhur”.

Ato nuk dhanë detaje se çfarë mund të përfshijnë këto masa.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, do të udhëtojë në rajon, në përpjekje për të ndërmjetësuar zgjidhjen e konfliktit.

Katër vendet, muajin e kaluar, kanë ndërprerë lidhjet diplomatike dhe të udhëtimit me Katarin, duke e akuzuar për mbështetje të terrorizmit dhe lidhje me rivalin rajonal – Iranin.

Ato kanë krijuar një listë prej 13 kërkesash dhe kanë kërcënuar me sanksione të mëtejshme nëse Katari nuk i përmbush ato.

Në mesin e kërkesave kanë qenë: ndalimi i financimit të terrorizmit, mbyllja e rrjetit televiziv Al Jazeera, ndërprerja e shumicës së lidhjeve me Iranin dhe mbyllja e një baze ajrore turke.

Katarasit i kanë hedhur poshtë akuzat dhe kanë thënë se ato janë bërë “për të krijuar ndjenja kundër Katarit në Perëndim”.

/REL