Qytetarët nuk janë aktiv në vendimmarrjet lokale, ndaj që ata të pyeten dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes shoqata e punonjësve social i ka trajnuar punonjësit e bashkive të Durrësit, Rrëshenit dhe Beratit.

Në përfundim të këtij trajnimi zëvendës ministrja e Punës dhe Çështjeve sociale Marjeta Zaçe, duke vlerësuar rolin e padiskutueshëm të punonjësve social u shpreh se ministria e Punës ka nisur hartimin e një ligji për to.

Marjeta Zaçe: “Nëpërmjet këtij ligji do të bëhet e mundur certifikimi i eksperiencave në fusha të ndryshme të praktikës sociale, në përputhje kjo edhe me praktikat e vendeve të tjera të BE-së.”

I pranishëm në ceremoninë përmbyllëse të këtij trajnimi zëvendës ministri i brendshëm Ferdinand Pone u kërkoi të zgjedhurve vendor të jenë më të vëmendshëm.

Ferdinand Pone: “Kjo nuk është një punë e vjetër tradicionale, hap kanale mbyll kanale. Mënyra se si po konceptohet kërkon burime të mjaftueshme financiare, kërkon një stopim të inercisë së financimit dhe të ekzekutimit të buxheteve bashkiake në favor edhe të kësaj detyre të rëndësishme.”

Trajnimet e organizuara nga shoqata kombëtare e punonjësve social pritet të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit./tvklan.al