Dhuna në familje dhe trafikimi i qenieve njerëzore kanë qenë sot temë e diskutimit në projektin e mbajtur nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë.

E pranishme në këtë panel ishte dhe zv/Ministrja e Punës, Marjeta Zaçe, e cila tha se politikat integruese për gratë e trafikuara dhe të dhunuara kanë një rritje, por që nuk është bërë aq sa duhet nga bashkia lidhur me ngritjen e qendrave të rehabilitimit.

Marjeta Zaçe: “Politikat dhe strategjitë e luftës kundër trafikimit po marrin një theks më aktiv. Në këtë kuadër puna e ministrisë do të konsistojë në rritjen e mundësive të akomodimit nëpërmjet strehëzave si dhe ndihmën për viktimat që kanë dalë nga një marrëdhënie e dhunshme e ndërtuar në jetën e tyre. Megjithëse ligji për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare e shpreh shumë qartë se kush janë autoritetet, të cilat ngrenë këto strehëza ende sot nuk ka arritur të ngrejë një strehëz”.

E pranishme ishte edhe zv/Ministrja e Brendshme, Iva Zajmi, e cila vuri në dukje rritjen e rasteve të dhunës në familje, kryesisht dhunën gjinore, por edhe një rritje të denoncimeve çka tregon një ndërgjegjësim të qytetarëve për moslejimin e këtij fenomeni në shoqëri./tvklan.al