Vijon të mbetet problematike situata e përmbytjeve  në Qarkun e Shkodrës. Pavarësisht rreshjeve të rëna gjatë natës në veriperëndim të vendit, niveli i ujit nuk është rritur,por megjithatë rreziku vijon të mbetet evident.

Në qytetin e Shkodrës situata sot është më e normalizuar se një ditë më parë. Kështu në lagjet Bahçallëk dhe Ajasëm ka një rënie të nivelit të ujërave, ndërsa në zonën e Livadhës uji mbetet në të njejtat kuota.

Autoritetet lokale dhe ato të Shtabit të Emergjencës bëjnë fjalë për nje situatë nën kontroll. Në komunat Dajç, Velipojë, Guri i Zi, Berdicë, Ana Malit, Bushat  dhe Bashkinë Shkodër Forcat e Ushtrisë të ndihmuara edhe nga ekipet e huaja vijojnë evakuimin e banorëve dhe shpërndarjen e ndihmave.

Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, të mbështetura nga strukturat mbështetëse të Ministrisë së Brendshme, po kryejnë  në terren operacionet për ruajtjen dhe sigurimin e argjinaturave, akseve të rrugëve dhe urave.

Sipas Ministrisë së Brendshme deri tani në gjithë zonën e Nënshkodrës rezultojne të përmbytura 10 mijë e 400 hektarë tokë, 2499 shtëpi, si dhe 4780 persona të evakuuar.

Tv Klan