Policia ka identifikuar një person si i dyshuari kryesore për ekzekutimin e deputetit Fatmir Xhindi, emri i tij nuk bëhet i ditur madje as nuk konfirmohet zyrtarisht. Plotë katër ditë pas vrasjes së Xhindit prokurorë të krimeve të rënda, si dhe drejtues të lartë të policisë së shtetit, kanë përcaktuar veprimet dhe pistat konkrete të këtij ekzekutimi.

Për katër orë me radhë, në zyrat e kësaj prokurorie, nëndrejtori i policisë së shteti, Agron Kuliqi, Nikolin Bala drejtor i krimeve të hapura, si dhe drejtori i policisë së Fierit, Shemsi Premçi, kanë folur lidhur me veprimet që duhen kryer.

Nën zë flitet për një person të dyshuar si autori i vrasjes, i cili ditën e vrasjes së deputetit nuk ka qenë në banesë pas një kontrolli të ushtruar nga policia.

Ndërkohë kreu i policisë së Fierit Shemsi Premçi, nuk e ka pranuar si të mirëqenë këtë informacion.

Shemsi Premçi: “Unë nuk di gjë. Mediat zbulojnë para kohe.”

Në prokurori përveç krerëve të lartë të hetimit janë parë të paraqiten me dosje në duar dhe shumë policë që i përkasin komisariateve. Tashmë grupi i madh i hetimit ka të përcaktuar qartë veprimet, rastet e dyshuara si dhe pistat ku do të përqendrohet hetimi./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani