Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Grupi i kokainës, kishte synime afatgjata politike në Shqipëri. Projekti i tyre, i detajuar është zbuluar orët e fundit, nga grupi i posaçëm hetimor i dhjetë punonjësve të Prokurorisë së Përgjithshme në bashkëpunim me antimafien italiane dhe shërbimet sekrete perëndimore. Sipas këtij projekti, bosët shqiptarë të drogës kishin piketuar disa kandidatë për deputet për t’i financuar në mënyrë që të fitonin mandatet gjatë zgjedhjeve parlamentare të këtij viti.

Veç kësaj gjatë 4 viteve të legjislaturës së ardhshme grupi i kokainës, do të niste investimet e fuqishme në disa fusha dhe zona të Shqipërisë, për pastrimin e parave të pista. Paralelisht me këtë ata do të krijonin dhe një parti politike, e cila synonte financimin, për fitimin e disa mandateve të deputetëve dhe më pas zënien e disa posteve të rëndësishme në ekzekutivin shqiptar dhe pushtetin lokal.

Ky plan do të shoqërohej dhe me ngritjen e një grupi të fuqishëm mediash, që do të mbështesnin aksionin politiko-financiar të grupit të drejtuar nga Durda dhe Përballa. Ndoshta ishte kjo arsyeja, që pak ditë më parë ministri i Rendit Ilir Gjoni deklaroi, se qytetarët shqiptarë nuk e marrin dot me mend, se ç’mund të bënte ky rrjet që kishte të ardhura prej 400 milion dollarësh në vit./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori