Shumica e shqiptarëve do marrin pjesë në turin e dytë të votimeve për Presidentin e ri të Maqedonisë. Kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbër Xhaferri në një intervistë për TV Klan vetëm pak orë para skadimit të fushatës elektorale. Në këtë mënyrë shanset për të zgjedhur presidentin e ri maqedonas janë më të mëdha pasi pjesëmarrja e shqiptarëve në turin e dytë të votimeve është tepër e domosdoshme.

Sipas Xhaferrit shqiptarët treguan me anë të votës së tyre në turin e parë se ata janë tashmë të pjekur politikisht dhe se vetëm prej tyre varet stabiliteti i brendshëm i Maqedonisë. Ai nuk e ka quajtur të arsyeshme bojkotimin e votimit në raundin e dytë nga ana e shqiptarëve pasi kjo i dëmton ata.

Pikërisht për të mos hedhur këtë hap të gabuar politik për të ardhmen e tyre, Xhaferri i ka bërë thirrje elektoratit shqiptar që votoi për kandidatin e PDSH-së, Muharrem Nexhipi ta japin votën për Boris Trajkovskin kandidatit të VMRO-së, partisë më të madhe të koalicionit qeveritar në fuqi. Votimet do të hapen në orën 07:00 të ditës së nesërme dhe do të mbyllen në orën 19:00. Votimet do quhen të vlefshme nëse në to marrin pjesë 50 % e zgjedhësve të regjistruar plus një votë, ndërkohë do të shpallet fitues ai kandidat që ka fituar shumicën e thjeshte të votave./tvklan.al