Pas përfundimit të telefonatës me Nazirin, vjehrrin e Arbianës ku ky i fundit tha për nusen se “është e  mbaruar”, Eni Çobani sqaroi gjendjen e 27-vjeçares. Edhe gjatë telefonatës që u zhvillua në rubrikën “Shihemi në Gjyq”, ndërmjetësja e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan përmendi përcaktimin e mjekëve për gjendjen e Arbianës.

Çobani shpjegon se për shkak të marrjes së dy fëmijëve nga vjehrrit duke mos lejuar Arbianën që të kujdeset e t’i ushqejë dhe më pas, marrjes së vajzës së tretë kur ishte 3 vjeçe, 27-vjeçarja ka kaluar një traumë të rëndë psikologjike.

Eni Çobani: Doktorët që përmenda unë kanë thënë që kjo vajza ka kaluar një post-partum shumë të rëndë që ka lënë një traumë psikologjike. Mosdhënia e gjirit fëmijëve të dy të parëve ka qenë shumë e rëndë dhe e ka çuar këtë vajzë në depresion të thellë por jo të shkaktuar për shkaqet që do Naziri, por për shkakun që nëna nuk është lënë t’i japë gji fëmijës, që nëna nuk është lejuar të mbajë fëmijët në krahë, që është mbyllur gjyshja me fëmijën në dhomën e saj dhe këtë vajzën e nxirrte nga dhoma dhe i thoshte nuk je në gjendje ti të rrisësh fëmijë dhe ndërkohë kjo vajza vazhdonte dhe bënte fëmijë.

Ardit Gjebrea: Nëse ata konstatuan që kjo vajzë është me këto probleme, përse duhet ta përdornin për të lindur fëmijë se kjo është ta përdorësh tjetrin. Në momentin që ti kupton që kjo vajzë ka probleme, atëherë si vazhdon? Nuk di çfarë fjale të gjej se nuk dua të them ato që më vijnë në mendje.

Eni Çobani: Po, shumë të rëndë, edhe psikologjike kjo vajza, edhe fizike. Po ta shikosh mirë Arbianën,  Arbiana sot bashkë me rrobat në trup mund të peshojë deri në 50 kg dhe është 1.80 e gjatë, është e paushqyer dhe po kalon një traumë shumë të madhe psikologjike. Kjo nuk duhet shfrytëzuar nga këta njerëz, por në qoftë se kjo ka nevojë për ndihmë, duhet çuar, duhet mjekuar, duhet dhënë ajo ndihmë me një psikolog që dhe kjo vajzë të rikthehet në gjendjen e shëndetshme dhe të rrisë tre fëmijët e saj./tvklan.al