Këtë nëntor mbushen plot 100 vjet nga mbajtja e Kongresit të Manastirit, ku u hartua alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe. Sipas zv/kryeministrit Genc Pollo, i cili është Kryetar i Komitetit Qeveritar Për Kongresin e Manastirit, përvjetori jubilar i Kongresit të Manastirit do të kremtohet me solemnitetin që i shkon përshtat rëndësisë së kësaj ngjarjeje për shqiptarët.

Genc Pollo: “Është shumë e rëndësishme që të kremtohet ashtu siç duhet ky përvjetor jubilar  dhe mendoj që duke shpallur muajin nëntor, si muaji i Kongresit të Manastirit, duke emërtuar rrugë dhe shkolla mbas kësaj ngjarjeje të rëndësishme dhe duke pasur një sërë aktivitetesh mendojmë që bëjmë detyrën tonë për të kujtuar me dinjitetin e duhur, me solemnitetin e duhur këtë eveniment të fillimit të shekullit XX që ka përcaktuar konturet e historisë dhe zhvillimit të shqiptarëve.”

Muaji nëntor është quajtur muaji i Kongresit të Manastirit në kujtim të kësaj ngjarje me rëndësi politike, kulturore dhe arsimore për shqiptarët. Delegatët e këtij kongresi të mbledhur në Manastir nga data 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908 vendosën që gjuha shqipe të mos shkruhej më me të ashtuquajturin alfabet të Stambollit, por për përcaktimin e alfabetit të Gjuhës Shqipe me shkronja latine të përbërë nga 36 shkronja./tvklan.al