Ajo që u komentua një ditë më parë si çelja e fushatës elektorale nga ana e kryeministrit Berisha në ditën kombëtare të rinise, për kryetarin e grupit parlamentar demokrat vlerësohet si një padurim nga ana e rinisë shqiptare për t’i dhënë demokrateve një tjetër mandat për qeverisjen e vendit.

Astrit Patozi: Partia Demokratike do ta fillojë fushatën elektorale kur të bjerë gongu, do ta fillojë  zyrtarisht pra atëherë kur të  vendoset data e zgjedhjeve dhe një muaj e gjysmë përpara ashtu siç parashikon Kodi Zgjedhor do të nisë fushatën e saj edhe Partia Demokratike, por ajo që ndodhi dje ishte një padurim do të thoja i rinisë shqiptare për të parë Partinë Demokratike sërish fituese në një mandat tjetër qeverisës, në zgjedhjet e vitit 2009.”

Duke folur për zgjedhjet e brendshme qe po zhvillohen ne partine më të madhe të maxhorances, Patozi vlerëson mbarëvajtjen e tyre ndërsa pranon se kuvendi i madh i demokrateve mund të zhvillohet përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009.

Astrit Patozi: Zgjedhjet e Partisë Demokratike janë parashikuar që të përfundojnë diku në fund të pranverës dhe ne jemi në një fazë ende shpejt për të folur për stacionin fundor të këtyre zgjedhjeve. Ajo që po ndodh deri tani është që gjithçka po kryhet sipas udhëzimit të kryesisë së Partisë Demokratike, pra po bëhen zgjedhjet në seksione, pastaj në grup seksione dhe pastaj kuvendet e degëve, përpara se sa të kalojnë në kuvendin e madh të Partisë Demokratike.”

Kreu i grupit parlamentar demokrat vlerëson gjithashtu dhe procesin e shkrirjes se strukturave të Partisë Demokratike të re me ato të demokratëve, proces që sipas Patozit  është mirëpritur nga baza demokrate./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka