16 persona janë identifikuar si përgjegjës për dhunën gjatë protestës së të hënës në kryeqytet. Një është arrestuar, 6 janë proceduar në gjendje të lirë, dhe 9 të tjerë janë shpallur në kërkim. Në pranga për ushtrimin e akteve të dhunës gjatë protestës është vënë 57-vjeçari Xhevahir Rrushi.

Policia e Tiranës njofton se nën hetim është vënë dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka, kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi dhe sekretari organizativ i PD-së Ervin Minarolli. Në gjendje të lirë është proceduar edhe një 31-vjeçar dhe dy të mitur, ndërsa po vijon puna për të arrestuar 9 të tjerë.

Si pasojë e sulmeve me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba molotov janë dëmtuar 10 punonjës policie, nga të cilët 9, pasi morën ndihmë mjekësore u larguan nga spitali, ndërsa 1 efektiv po trajtohet në repartin e djegieve plastikës, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, në spital kanë shkuar për ndihmë mjekësore dhe 2 të tjerë (babë e bijë), të cilët dyshohet se janë lënduar nga molotovët. 

Pas përfundimit të tubimit blutë e kryeqytetit sekuestruan mbetje flakadani të plasur si dhe bidonë me lëndë piroteknike të paplasur.

Klan News