Florian Përvathi, në gjendje të rënduar psikologjike

17-vjeçari Florian Përvathi, i cili të hënën qëlloi për vdekje me pistoletë 65-vjeçarin Lekë Lekgjonaj duke marrë hakun e babait të tij nuk ka shfaqur pendesë para policisë.

Burime nga blutë e Lezhës bëjnë të ditur se i riu gjatë marrjes në pyetje është shfaqur në gjendje të rënduar psikologjike, por nuk është penduar për aktin e rëndë që kreu. Ai nuk ka dhënë shumë shpjegime për krimin e kryer, ndërsa të mërkurën pritet të dalë para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë.

Florian Përvathi qëlloi për vdekje me një pistoletë me mulli 65-vjeçarin Lekë Lekgjionaj pasi mori hakun për babanë e tij. Ky i fundit u vra në vitin 2009 nga vëllai i viktimës. Lekgjonaj ishte duke krasitur hardhitë dhe duke pastruar barërat e këqij në banesën e vjetër të të vëllait, kur është qëlluar për vdekje nga 17-vjeçari. Autori pas vrasjes u vetëdorëzua në policinë e Lezhës bashkë me armën e krimit.

Persona të afërm të familjes së viktimës së djeshme kanë bërë të ditur se Lekë Lekgjonaj nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim mbi rrezikun që i kanosej, pasi besonte se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen e vitit 2009.

Tv Klan