Hetimet për të zbuluar se si u transportuan 800 tonë mbetje toksike nga porti i Durrësit drejt Tajlandës dhe se nga ku janë marrë këto mbetje mund të shtrihen edhe në Kosovë.

Prokuroria e Durrësit e nisi procesin hetimor një ditë më parë mbi bazën e dy referimeve, një të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, që mban datën 16 Gusht dhe një të policisë, për kontrabandë të mallrave të ndaluara ose të kufizuara dhe shpërdorim detyre.

Një pjesë e mbetjeve dyshohet se janë marrë në Shqipëri dhe një pjesë në Kosovë. Kompania eksportuese e tyre është Sokolaj SHPK, e cila nuk iu përgjigj deri tani interesit të Tv Klan për të sqaruar se për çfarë mbetjesh bëhet fjalë dhe ku i ka marrë ato.

Media të ndryshme hodhën dyshime se një pjesë e mbetjeve janë nga kompania Kurum, por kjo kompani sqaroi se nuk merret me eksportin e mbetjeve që dalin nga procesi i përpunimit të metaleve që kryen ajo.

“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Përgjithshëm të Doganave dhe porteve shqiptare”, tha Kurum.

Tv Klan mëson se kompani të ndryshme blejnë pranë Kurum mbetje të tilla si skorjet dhe mbetje të tjera që dalin nga përpunimi i metaleve, të cilat i përdorin në industri si lëndë e parë përpunuese, i riciklojnë ose i eksportojnë.

Deri tani nuk është e qartë nëse në ngarkesën në fjalë ka materiale të tilla të blera nga Kurum, por kompania turke që operon në Shqipëri përjashton mundësinë që mbetjet e saj të jenë të rrezikshme.

As për pjesën e ngarkesës prej 800 tonësh që dyshohet se vjen nga Kosova, nuk dihet ekzaktësisht përmbajtja apo origjina e saktë.

Autoritetet dyshojnë se një pjesë e tyre vjen nga miniera e Trepçës, por hetimet e mëtejshme pritet të sqarojnë se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

Kompania grumbulluese dhe eksportuese, Sokolaj SHPK, me bazë në Durrës, sqaron në faqen e saj se merret me mbledhjen, transportin, maganizimin dhe eksportin për riciklim të mëtejshëm të një game të ndryshme produktesh minerale, mbetje, pluhur, hi dhe mbeturina produktesh.

Ajo thotë se ka trajtuar dhe eksportuar mijëra tonelata të këtyre produkteve.

Çështja pritet të zbardhet plotësisht me ardhjen e ngarkesës në Shqipëri, pasi vetëm në këtë mënyrë do të zbulohet përmbajtja e këtyre materialeve, prejardhja dhe rrezikshmëria e tyre.

Kontejnerët po kthehen me dy kompanitë e transportit, MAERSK dhe MSC, në bashkëpunim me autoritetet tajlandeze. Ato pritet të mbërrijnë fillimisht në Itali, në Goia Tauro në fund të Shtatorit.

Autoritetet në Singapor sqaruan se vepruan pasi kishin marrë informacion se ngarkesat nga Shqipëria përmbanin mbetje të rrezikshme të padeklaruara.

Ministria e Mjedisit në Shqipëri mohoi të kishte dhënë autorizim për këtë transport dhe tha se po e heton po ashtu çështjen.

Tv Klan