Jo vetëm për turizmin bregdetar, vizitorët shfaqin interes edhe për ekoturizmin, ose turizmin e natyrës, i cili po njeh rritje çdo vit e më shumë, dhe këtë e tregojnë shifrat.

Janar-Korriku i 2024 ka patur 2.5 mln vizitorë në zonat e mbrojtura, ose 28% më shumë se 7 mujori i 2023, i cili regjistroi 1.9 mln.

Qarku i Shkodrës mban vendin e parë sa i takon numrit të vizitorëve në zonat e mbrojtura me 609 mijë, ndjekur nga Korça me 573 mijë dhe Qarku i Fierit me 359 mijë.

Ndërsa sa i takon zonave të mbrojtura më të frekuentura, ato që kryesojnën për këtë 7 mujor janë Alpet e Shqipërisë, me 91 mijë vizitorë, ndjekur nga Liqeni i Ohrit në Pogradec me 74 mijë dhe Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta me 67 mijë. Nuk mbeten pas as Syri i Kaltër, Lugina e Shalës dhe Liqeni i Shkodrës. Më pak të frekuentuara janë Mali i Dajtit, Parku i Qafshtamës, Prespa dhe Parku Kombëtar i Vjosës.

Për t’i dhënë më shumë përparësi këtij lloj turizmi është miratuar edhe Rregullorja për Standartizimin dhe Administrimin e Shtigjeve Turistike, e cila do të sjellë një platformë që do të promovojë turizmin e aventurës, natyrës, turizmin rural dhe inventarizojë shtigjet turistike në mënyrë që të garantojë turizëm të sigurt për të gjithë ata që duan të zbulojnë natyrën e Shqipërisë.

Tv Klan