Banorët e një pallati në Komunën e Shëngjinit në Lezhë rrezikojnë të nxirren nga banesat. Janë 21 familje që jetojnë në këtë pallat. Përapara pak ditësh ata janë njohur me një vendim gjyqësor ku është komunikuar se pallati ku ata janë strehuar që prej vitit 1991 është privatizuar pa dijeninë e tyre nga pronari i tokës. Sipas banorëve, drejtuesit e Komunës në Shëngjin u janë përgjigjur se pallati është pronë e Bashkisë së Lezhës. Nga ana tjetër, Bashkia e Lezhës përgjigjet se pallati është në territorin e Komunës së Shëngjinit. Sorollatjet sa në një vend në tjetrin kanë bërë që banorët të humbin durimin. Nëse do të nxirren në rrugë, ata kërcënojnë se do të bllokojnë rrugën nacionale si dhe Portin e Shëngjinit deri në zgjidhjen e këtij problemi. Sipas tyre, privatizimi i pallatiti është bërë në mënyrë të paligjshme. Po kështu ata akuzojnë edhe gjykatën e këtij rrethi për implikimin e saj në privatizimin e jashtëligjshëm.


“ Ktu s’ka pas, as pronarë, as zot toke ça është ajo. Kjo ka kenë e shtetit. Kur a bo kjo në ’91-in kena hy këtu, kam hy unë e para megjithë fëmijët e mi ktu, ’92-in e mrapa kanë hy gjith kta tjerët. Ka kenë bosh.”


“As a marr me ne komuna, as merret me ne absolutisht, as vjen te ne aspak. As do me dit gjo për ne hiç. Kur kanë nevojë për vota vijnë, mbrapa s’i sheh kush sytë e ballit asnjë.”


Banorët i kanë bërë një peticion kryeministrit Fatos Nano dhe ministrit të Ekonomisë dhe Privatizimit Anastas Angjeli, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. /tvklan.al