Shqipëria do të jetë vendi pritës për 3 ditë i takimit të 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, një ngjarje me rëndësi jo vetëm për turizmin, por edhe si një  organizim i nivelit të lartë. Përmes një videospoti, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro është shprehur se ky eveniment botëror do ta kthejë Tiranën në një pol dinamik të zhvillimeve në turizëm.

Sipas agjendës së bërë publike nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ditën e hënë do të mbahet mbledhja të 70-të e këtij organizmi të rëndësishëm të turizmit ku do të marrë pjesë kryeministri Edi Rama, ministrja Kumbaro dhe mjaft përfaqësues europianë.

Ndërsa në ditën përmbyllëse do të mbahet Konferenca për Investimet në Turizëm me tre panele diskutimi.

Evente të tilla ndërkombëtare shërbejnë si një promovim i madh për Shqipërinë në prag të sezonit turistik, e cila mikpriti 1.7 milionë turistë vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti.

Ndërsa viti 2023 shënoi rekord historik turistësh me mbi 10 milionë që vizituan bukuritë e vendit tonë nga shtete të ndryshme, nga ana tjetër synimet për vititn 2024 janë që shifra të jetë edhe më e lartë duke arritur në rreth 14 milionë turistë.

Klan News