Jehona është vajza që ka arritur të realizojë ëndrrën e të atit dhe të vetën për t’u bërë futbolliste. Prej disa vitesh tashmë, ajo luan në kombëtaren e vajzave, njëkohësisht ndjek edhe shkollën dhe dukej gjithçka kaq premtuese deri para pak kohësh.

Babai i saj, i cili ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” i shoqëruar nga shoqja e ngushtë e së bijës, Klesta, tregon për rubrikën e së “Dielës Shqiptare”  në Tv Klan se 3 prilli ishte dita që ndryshoi gjithçka. Gjatë një ndeshjeje, Jehona pësoi një dëmtim të rëndë dhe ai dëgjonte klithmat e saj nëpërmjet televizorit.

Azem: 3 prilli ishte si të them unë, sikur m’u prenë shpresat se po e shihja ndeshjen në televizor, ‘live’. Ishte me Qipron, ishte një rast i bukur për gol, një vertikalizim i shoqes së vet dhe del përpara portieres, por topi ishte në ajër. Kjo kap topin me këmbën e djathtë dhe këmba e majtë nuk ishte në ekuilibër. U rrëzua keq, unë e pashë që diçka e rëndësishme ka ndodhur dhe dëgjoja klithmat e saj nëpërmjet televizorit që po qante dhe e fika televizorin pastaj.

Ardit Gjebrea: Si është për një baba të dëgjojë vajzën duke qarë në televizor?

Azem: Të them të drejtën, e përjetuam shumë keq si familje, shumë keq e përjetuam.

Ardit Gjebrea: Domethënë atë e nxorën jashtë fushe me siguri…

Azem: Jashtë fushe, me barelë.

Ardit Gjebrea: E çuan në spital.

Azem: Kreu një ndërhyrje kirurgjikale në gju, kishte këputur ligamentin kryesor të këmbës së majtë.

Veç gjendjes fizike që do të kërkojë minimalisht 6 muaj fizioterapi për t’u shëruar, Jehona nuk është shumë optimiste. Azemi u shpreh se që në fillim thoshte se “nuk do të kthehej më në fushë” ndërsa Klesta ndan diçka prej bisedave të tyre.

Klesta: I janë prerë shpresat që në momentin që ndodhi dëmtimi dhe thotë gjatë gjithë kohës që “nuk do të kthehem më në atë gjendje që isha” se ishte në kulmin e karrierës së saj dhe normalisht, ajo do mbështetje. Nga ne shoqet mund ta gjejë, prandaj jemi edhe këtu sot.

Azem: E sheh si fundin atë ditën 3 prill, e sheh si fundin e futbollit.

Ardit Gjebrea: Mjekët çfarë thonë?

Azem: Mjekët janë optimistë, por Jehona në vetvete është pak poshtë, edhe nga ana psikologjike./tvklan.al