#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

#edielashqiptare #arditgjebrea #program #Jehona # Klesta #Azem #futboll #ndeshje # demtim #Kombetare

Historia që nisi nga “Ka Një Mesazh Për Ty”, babai tregon si vajza i realizoi ëndrrën e futbollit

Azemi dhe Klesta, babai dhe shoqja e Jehonës hynë në “Ka Një Mesazh Për Ty” me atlete dhe një top futbolli në duar. Dy objektet simbolizojnë një ëndërr të madhe të Azemit që sot është realizuar përmes vajzës së tij. Ai nis të tregojë në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se qëkur kryente shkollën e lartë në Shkodër dhe shkonte të ndiqte ndeshjet, ëndërronte që një nga fëmijët e tij të ishte në fushën e blertë.

Azem: Ëndrra ishte që një nga fëmijët  e mi të bëhej futbollist.

Ardit Gjebrea: Dhe ti sa fëmijë ke?

Azem: Dy çuna dhe Jehonën.

Ardit Gjebrea: Kur thua “një nga fëmijët e mi” mendoje për dy çunat”, s’mendoje për vajzën.

Azem: U bë Jehona futbolliste.

Qëkur Jehona ishte e vogël, babai dhe vëllezërit e merrnin të luante me ta dhe kështu nisi pasioni i saj për futbollin. Momenti që do të përcaktonte rrugëtimin e saj do të ishte një episod i “Ka Një Mesazh Për Ty” disa vite më parë, ku protagoniste ishte Cyme Lulaj.

Azem: Historia e futbollit te ky televizion ka lindur, tek “E Diela Shqiptare”. Në vitin 2017 duke ndjekur “Kam Një Mesazh Për Ty”, këtu paraqitet Cyme Lulaj.

Ardit Gjebrea: E mbaj mend shumë mirë Cymen.

Azem: Dhe unë nuk e dija që në Shqipëri kishte një kampionat vajzash të them të drejtën, por duke nxjekur emisionin, Jehona e kishte parë me vëmendje dhe pas emisionit, i kishte shkruar në Facebook-un tim që “a mund të takohemi?” dhe pas dy ditësh më telefonin Cymja dhe më thotë “jam filania, më ka shkruar Jehona për futbollin, a je dakord që të vini e të provohet vlen apo s’vlen?”

Ardit Gjebrea: Ti nuk dije gjë fare.

Azem: Jo, unë nuk e dija.                 

Disa muaj më vonë, Cyme Lulaj bën të mundur federimin e Jehonës në ekipin e Kinostudios dhe nga ai moment, vajza u zhvendos në Tiranë. Megjithatë, jo të gjithë familjarët ishin dakord.

Azem: Fillimisht, unë isha dakord, unë isha me Jehonën ndërsa bashkëshortja dhe çuni i madh jo.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Azem: Jo, s’është futbolli për vajza, e kemi larg nga shtëpia. Por sidoqoftë, Jehona ia doli vetë.

Ardit Gjebrea: Cila ishte pritshmëria jote në momentin që Jehona filloi në këtë rrugë?

Azem: Jehona është një vajzë shumë luftëtare, ka vullnet të jashtëzakonshëm sepse ne atje jetojmë  në fshat, kurse fëmijët jetojnë në Tiranë, gjithçka me forcat e veta, as ndërhyrje në mënyrë absolute, ka ndjekur gjithçka të kombëtares nga U-15 deri tani vetë.

3 prilli që ndryshoi gjithçka, babai rrëfen dëmtimin e vajzës: Dëgjoja klithmat përmes televizorit

Jehona është vajza që ka arritur të realizojë ëndrrën e të atit dhe të vetën për t’u bërë futbolliste. Prej disa vitesh tashmë, ajo luan në kombëtaren e vajzave, njëkohësisht ndjek edhe shkollën dhe dukej gjithçka kaq premtuese deri para pak kohësh.

Babai i saj, i cili ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” i shoqëruar nga shoqja e ngushtë e së bijës, Klesta, tregon për rubrikën e së “Dielës Shqiptar”  në Tv Klan se 3 prilli ishte dita që ndryshoi gjithçka. Gjatë një ndeshjeje, Jehona pësoi një dëmtim të rëndë dhe ai dëgjonte klithmat e saj nëpërmjet televizorit.

Azem: 3 prilli ishte si të them unë, sikur m’u prenë shpresat se po e shihja ndeshjen në televizor, ‘live’. Ishte me Qipron, ishte një rast i bukur për gol, një vertikalizim i shoqes së vet dhe del përpara portieres, por topi ishte në ajër. Kjo kap topin me këmbën e djathtë dhe këmba e majtë nuk ishte në ekuilibër. U rrëzua keq, unë e pashë që diçka e rëndësishme ka ndodhur dhe dëgjoja klithmat e saj nëpërmjet televizorit që po qante dhe e fika televizorin pastaj.

Ardit Gjebrea: Si është për një baba të dëgjojë vajzën duke qarë në televizor?

Azem: Të them të drejtën, e përjetuam shumë keq si familje, shumë keq e përjetuam.

Ardit Gjebrea: Domethënë atë e nxorën jashtë fushe me siguri…

Azem: Jashtë fushe, me barelë.

Ardit Gjebrea: E çuan në spital.

Azem: Kreu një ndërhyrje kirurgjikale në gju, kishte këputur ligamentin kryesor të këmbës së majtë.

Veç gjendjes fizike që do të kërkojë minimalisht 6 muaj fizioterapi për t’u shëruar, Jehona nuk është shumë optimiste. Azemi u shpreh se që në fillim thoshte se “nuk do të kthehej më në fushë” ndërsa Klesta ndan diçka prej bisedave të tyre.

Klesta: I janë prerë shpresat që në momentin që ndodhi dëmtimi dhe thotë gjatë gjithë kohës që “nuk do të kthehem më në atë gjendje që isha” se ishte në kulmin e karrierës së saj dhe normalisht, ajo do mbështetje. Nga ne shoqet mund ta gjejë, prandaj jemi edhe këtu sot.

Azem: E sheh si fundin atë ditën 3 prill, e sheh si fundin e futbollit.

Ardit Gjebrea: Mjekët çfarë thonë?

Azem: Mjekët janë optimistë, por Jehona në vetvete është pak poshtë, edhe nga ana psikologjike.

“Mendoja se nuk do të ecja më”, historia e patreguar e Ardit Gjebreas: Si e gjeta forcën për të triumfuar

Prej 3 prillit, Jehona nuk mundet të hyjë në fushën e blertë së cilës i ka kushtuar shumë mund e përkushtim. Këputja e ligamentit e ka lënë për disa kohë jashtë saj derisa të rikuperohet. Më i vështirë sesa dëmtimi, është gjendja e saj emocionale që ka pësuar një tronditje të fortë.

Por sot, në “Ka Një Mesazh Për Ty”, forca nuk vjen vetëm nga ata që e kanë ftuar, babai dhe shoqja e ngushtë. Moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea shkon pranë saj për të ndarë një histori personale të patreguar më parë.

Njësoj si Jehona, Gjebrea rrëfen se ka pësuar një sfidë shëndetësore me këmbën. Fillimisht ecte me paterica dhe mendonte se nuk do të ecte dot. Pas operacionit, nisi trajtimi me fizioterapi por mbi të gjitha, rrugëtimi për t’i dhënë vetes kurajë e optimizëm se gjithçka do të kalonte.

Ardit Gjebrea: Do të të tregoj një histori shumë të shkurtër nga jeta ime. Papritmas një ditë fillova të kisha dhimbje në këmbë dhe nuk ecja dot dhe fillova të kisha vështirësi të cilat shtoheshin, shtoheshin, shtoheshin. Kjo është një histori që nuk e kam treguar asnjëherë. Mendoja që ishte nervi shiatik, por jo. Një moment më thonë të ka mbledhur kocka ujë dhe më pas, pasi bëra të gjitha analizat kisha probleme me kokën e femurit dhe ecja me paterica dhe me paterica futesha edhe në det që ishte një nga gjërat që akoma dhe sot e dua më shumë.

Vij në një moment që mendova që s’do të ecja më. Më thonë duhet të operohesh. U operova, por operacioni është një moment, fizioterapia është sekreti i mëpasshëm. Edhe, teksa shkoja për të bërë fizioterapi shikoja njerëzit që ecnin dhe unë thoja, a e dinë këta njerëz sa të lumtur janë që ecin? Pra ajo gjë që ne na duket e zakonshme, vetëm kur na ndodh një gjë, atëherë e kuptojmë sesa e rëndësishme është jeta, shëndeti dhe çdo gjë. Ata që nuk shikojnë thonë “a e dinë ata që shikojnë sa mirë janë” etj.

Në atë moment fillova fizioterapinë dhe isha shumë i dëshpëruar, por në një moment thashë “ej po Ardit ku je, prit se do ia dalësh”. Fillova, me gjithë dhimbjet që kisha, me gjithçka, luftova dhe 3 muaj shumë të forta fizioterapie pa u sforcuar, me shumë kujdes. Unë çdo mëngjes ngrihesha dhe thosha “Ardit, ti do ia dalësh, ti do ecësh prapë” dhe gjeta forcën te njerëzit që më rrethonin, te shqoëria, familja ishte aty çdo ditë që të më mbështeste, por unë gjeta forcën tek  Arditi, atë forcë që ti duhet të gjesh te Jehona. Unë dua që përmes kësaj dore të të jap ty gjithë energjinë e mirë timen duke ta treguar këtë histori për të të thënë që zgjohu çdo mëngjes me gëzim, e lumtur dhe unë do ia dal sepse gjithçka është vetëm këtu.