Ekspertët rekomandojnë maska në mjedise të mbyllura

Një 83-vjeçare nga Gjirokastra humbi jetën për shkak të Covid në 24 orët e fundit. Të larta mbetën edhe infektimet në 24 orët e fundit pasi nga 1729 testime rezultuan pozitive 619 persona, gjysma e tyre gjenden në Tiranë. Por edhe pse shifrat po rriten çdo ditë, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se nuk ka variante të reja në qarkullim dhe as vend për panik.

“Janë mbizotërues Omicron me ba2, nuk ka patur sinjale të dyshimta për variante të tjera”.

Në spital po trajtohen 21 pacientë, 2 më shumë se 1 ditë më parë. Ekspertët thonë se për shmangien e rasteve të rënda mbetet në fuqi rekomandimi i OBSH për vaksinim, veçanërisht të grupeve të riskut.

“Duke pasur ky grup përqindje të lartë vaksinimi, reduktohet numri i formave të rënda, shtrimet në spital dhe fataliteteve. Veç grupeve në risk, vaksinimi ka rëndësi dhe për grupmoshat më të reja për të parandaluar transmetueshmërinë në popullatë dhe shmangur pasojat afatgjata tek individi”.

Edhe pse Shqipëria nuk ka asnjë masë detyruese, ekspertët sugjerojnë respektimin e masave dhe mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura.

“Higjiena e duarve, distancimi fizik dhe mbajtja e maskës, nuk duhen neglizhuar këto masa, distancimi fizik që është kryesori dhe mbajtja e maskës në ambientet e brendshme”.

Në vendin tonë mbi 46% e popullatës janë vaksinuar me një dozë dhe 45,8% me dy doza. Ekspertët theksojnë se është shumë i rëndësishëm aplikimi i dozave përforcuese, menjëherë pasi kanë kaluar 5 muaj nga doza e dytë apo e tretë.

Tv Klan