Pasi u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, kryetari i PD, Sali Berisha ka dhënë detaje nga dosja.
Në një konferencë për mediat, ku mori pjesë online, Berisha tregoi se pjesë e hetimit janë dhe disa pagesa të kryera nga Argita dhe Jamarbër Malltezi në një fondacion që mbështet familjet që kanë fëmijë autik.
Sali Berisha, kryetar i PD: Dumani, Kraja dhe Millonai nxjerrin se Argita dhe Jamarbër Malltezi paskan korruptuar mua dhe Liri Berishën sepse në mënyrë të përvitshme kanë paguar me bankë në fondacion tarifën e trajtimit të fëmijëve autikë të disa familjeve që nuk e paguanin dot atë që nga viti 2010 gjer në vitin 2022, dhe në total ky çift ka kontribuar me rreth 118 mijë euro.
Duke mos i kursyer akuzat ndaj SPAK, Berisha tha se për arrestimin e tij janë të interesuar edhe diplomatë të huaj.
Sali Berisha, kryetar i PD: Të korruptuar janë diplomatët që kërkuan arrestimin e Sali Berishës. Publikisht e kanë bërë.
Paralajmëroi nisjen e protesta kundër qeverisë, por përsëri pa dhënë një datë konkrete.
Sali Berisha, kryetar i PD: Lëvizja do nisë në kohën më të parë të mundshme dhe do jetë një lëvizje e pandalshme në të cilën PD duhet të përmbushë misionin e saj, rikthimin e votës së lirë shqiptarëve.
Nuk dha një përgjigje të qartë nëse vajza e tij Argita Malltezi do të jetë në listat për kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme.
Sali Berisha, kryetar i PD: Atë nuk e vendos unë, e vendosë vetë ajo. Nëse dëshiron primaret janë të hapura dhe nuk ka asnjë pengesë, por nuk e di a ka ndonjë ambicie apo jo.
Teksa përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, PD këmbëngul në kërkesën e saj për ngritjen e një qeveri teknike, të cilën e shikon si një mundësi për të patur zgjedhje të sigurta dhe rrotacion politik.
Klan News